Detaje të reja janë zbuluar nga një operacion i kryer nga SPAK në Bashkinë Dibër ku janë ndaluar disa zyrtarë me dyshimin se kanë kryer korrupsion. Mes të arrestuarve janë Firim Farruku, shef finance në Këshillin e Qarkut dhe Halit Shehu, specialist pyjesh. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Shehu ka dashur që të fillojë punë pranë Zyrës Arsimore në Dibër.
Ka qenë Farruku ai që i ka premtuar kundrejt një shpërblimi se do të ndikonte tek drejtuesit e Zyrës Arsimore. Operacioni për kapjen e tyre është realizuar menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 Lekësh nga Shehu, duke bërë të mundur realizimin e arrestimit në flagrancë të tyre.
“Për këtë qëllim, ai ka kontaktuar me shtetasin F.F., punonjës i Këshillit të Qarkut Dibër. Ky i fundit i ka premtuar, kundrejt shpërblimit, që t’i sigurojë ndikim tek drejtuesit e Zyrës Arsimore Dibër, në mënyrë që H.Sh. të punësohet si mësues pranë kësaj zyre. Gjatë operacionit, menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 Lekësh nga shtetasi H.Sh., kundrejt shtetasit F.F., kanë ndërhyrë sakaq punonjësit e policisë duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tyre si dhe duke bllokuar provat materiale.
Shtetasi H.Sh. dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë shtetasi F.F dyshohet se ka konsumuar elementet e figurës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.