Pallati Buckingham ka njoftuar ditën e sotme se Mbretëresha Elizabeth II nuk është në një gjendje të mirë shëndetësore. Shëndeti i Mbretëreshës 96-vjeçare ka shqetësuar mjaft mjekët e saj, tha në njoftimin zyrtar Buckingham Palace.
“Pas vlerësimit të mëtejshëm këtë mëngjes, mjekët e Mbretëreshës janë të shqetësuar për shëndetin e Madhërisë së Saj dhe kanë rekomanduar që ajo të mbetet nën mbikëqyrjen mjekësore”, thuhet në deklaratë.
Mbretëresha Elizabeth II po qëndron në Balmoral të Skocisë, ku përshëndeti të martën Kryeministren e re të Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss.
Por çfarë ndodh nëse Mbretëresha vdes në Skoci?
Prestigjiozja “The Independent” shkruan se nëse një gjë e tillë ndodh, ekziston një plan specifik, i njohur si Operacioni Unicorn, i cili është krijuar dhe rishikuar rregullisht për të siguruar procedura të shpejta dhe të organizuara në rast se Mbretëresha vdes.
Nëse Mbretëresha vdes ndërsa qëndron në rezidencën e saj në Skoci, Parlamenti skocez do të pezullohet menjëherë. Autoriteteve do t’u jepen 36 orë për t’u përgatitur për një mocion ngushëllimi. Trupi i saj do të çohej në Holyroodhouse dhe më pas do të çohej në Katedralen e Shën Giles në Royal Mile në Edinburg.
Më pas, trupi i saj do të bënte udhëtimin e fundit për në shtëpi dhe arkivoli i saj do të transportohej me trenin mbretëror për në Londër.
Funerali i Mbretëreshës do të bëhej rreth 10 ditë pas vdekjes së saj. Një protokoll i ngjashëm është në fuqi nëse Mbretëresha vdes në Londër, i njohur si Operacioni London Bridge, i cili është krijuar me kujdes në vitet 1960.