Me anë të një deklarate për mediat, Ambasada Amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje palëve që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet.
“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet.
Po ashtu, mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë”, mbyllet reagimi i ambasadës.
Mësohet se raporti paraprak i Komisionit të Venecias për përplasjen Presidencë-Kuvend në lidhje me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka mbërritur në Tiranë këtë të premte.
Më herët, pati edhe një reagim nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili konfirmoi marrjen e draftit paraprak, ndërsa theksoi se palëve u është kërkuar të ruhet strikt konfidencialiteti sepse drafti është dërguar për t’u konsultuar dhe komentuar nga palët.