Teksa pritet të nisë seanca e radhës në Kuvend, opozita ka bllokuar foltoren duke e rrethuar me karrige.
Situata jonormale në Parlament ka detyruar deputetët e mazhorancës të qëndrojnë në këmbë duke qenë se karriget e tyre ishin përmbysur pranë foltores.
Në një deklaratë për mediat para se të hynte në seancë, Sali Berisha u shpreh se Parlamenti do të jetë institucioni qendror që kryeministri Edi Rama do të marrë ndëshkimin e merituar.
Ai tha se gjëja më e përgjegjshme dhe më e shenjtë që mund të bëjë një deputet është të mbrojë të drejtën kushtetuese.
“Vazhdon mosbindja civile, protesta paqësore e parlamentarëve të opozitës me të drejta kushtetuese të mohuara. Prej 18 muajsh me urdhër të Edi Ramës ky parlament nuk lejon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, një detyrim kushtetues nga neni 77 i Kushtetutës që thotë se me firmën e ¼ të deputetëve të Kuvendit, Kuvendi është i detyruar të ngrejë komisione hetimore për çështje të caktuara”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama nuk i pranon këto komisione sepse ai vetë është i inkriminuar dhe se familjarët e tij janë vërsulur pas tenderave dhe prokurorimeve publike.
Në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të parlamentit janë për diskutim një sërë çështjesh. Ndër to janë projektligji për Kodin Penal, projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat, për prokurorimin publik etj.