Ish-kryeministri bullgar, njëkohësisht dhe kreu i opozitës, Boyko Borisov i ka kërkuar kryeministrit Krill Petkov që të sjellë propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai është shprehur se 59 deputetët e tij do të votojnë pro, shkruan Euronews Bullgaria.
“I kam kërkuar deputetëve të GERB-it, nëse më besojnë, ta mbështesin propozimin, nëse Petkovi trembet, do të jenë 59 deputetë për t’i dhënë dritën jeshile Maqedonisë dhe Shqipërisë”, u shpreh Borisov në një konferencë për shtyp në selinë e partisë.
“Siç premtova, të shtunën lexuam tekstet për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Unë besoj në Macron dhe KE, deri më tani gjithçka e mirë që ka ndodhur është falë BE-së”, shtoi Borisov.
Vendet anëtarë të nismës “Ballkani i Hapur”, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia kanë paralajmëruar se mund të bojkotojnë samitin BE- Ballkani Perëndimor për shkak të zhgënjimit për mos hapjen e negociatave me shtetin shqiptar dhe atë maqedonas.
Bashkimi Evropian do të mbajë një takim të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor më 24 qershor në Bruksel.