Opozita do të përshkallëzojë takimet me qytetarët, duke zhvilluar takime të përditshme për të dëgjuar hallet e tyre dhe propozuar zgjidhje.
Kjo është strategjia që do të ndiqet në vijim, të cilën e kanë mbështetur drejtuesit e partive opozitare pas një takimi me Lulzim Bashën.
“Edi Rama nuk mendon për shqiptarët, por për karrigen e tij. Ai i dërrmoi të varfrit dhe shkatërroi shtresën e mesme. Është përgjegjësia jonë të jemi pranë tyre.” – është shprehur Basha
Sipas deklaratës për shtyp të shpërndarë nga PD, qëndrimi i të gjithë partive të Opozitës së Bashkuar ka qenë se pandemia e ekonomisë po e çon Shqipërinë drejt kolapsit ekonomik. Qeveria nuk po i ndihmon shqiptarët dhe po e çon vendin drejt një krize të madhe.
Në fillim të takimit, Kryetari i PD, Lulzim Basha ka informuar aleatët mbi shqetësimet dhe kërkesat e paraqitura gjatë takimeve që ka zhvilluar gjatë javës me përfaqësuesit e bizneseve.
“Qeveria i ka braktisur. Nuk i dëgjon, nuk i pret, nuk do t’ia dijë për shqetësimet dhe problemet e tyre. Është detyra jonë jo vetëm të jemi zëri i tyre, por të ridimensionojmë planin tonë për shpëtimin e ekonomisë, për ruajtjen e vendeve të punës, duke marrë parasysh pasojat që ka krijuar kriza. Qytetarët po humbin vendet e punës dhe situata është emergjente. Duhet angazhim i shpejtë dhe intensiv nga të gjithë ne. Kam parë dhe takuar vetë njerëz që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë nga qeveria. Biznese që nuk kanë përfituar asnjë ndihmë dhe po mbyllen”, është shprehur Lulzim Basha.
Më pas është diskutuar në detaje menaxhimi i situatës nga Qeveria. Në mbledhje është argumentuar se Qeveria e keqmenaxhoi krizën e shkaktuar nga pandemia në dëm të shqiptarëve. Opozita thotë se “vetëm 41.5 milionë euro ka dhënë Edi Rama për 3 milion shqiptarë, ku janë qindra të mijra të papunë dhe biznese gati për t’u mbyllur, ndërkohë që kaq i ka dhënë qeveria oligarkëve të vet për 2 km rrugë tek Unaza e Re”.