Kryesore Opozita e akuzoi se po i bën presion SPAK-ut që të mos...

Opozita e akuzoi se po i bën presion SPAK-ut që të mos preket PS, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama reagoi pasi opozita e akuzoi atë se po ushtronte presion ndaj SPAK-ut, në mënyrë që drejtësia “të mos hetojë çështje që prekin drejtpërdrejtë” kreun e qeverisë.

Rama u shpreh në Twitter se nuk ka për ta mbyllur gojën, “që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht”.

“Të qeshësh e të qash me lot! Paskam kërcënuar SPAKUN sipas nongratave që betoheshin se edhe Flota e Shtatë Amerikane po t’i drejtonte tytat nga Lalzi nuk do ta votonin Reformën në Drejtësi! Për mua e për PS, SPAKU rron e punon pa gajle 100 vjet dhe bujrum, derën tonë e ka hapur! Por, gojën nuk kemi për ta mbyllur, që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht! Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxorri katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më”, shkruan Rama në rrjetin social.

Presidenca dhe opozita njëzëri: Akuzat e Ramës ndaj SPAK, presion që të mos preket PS

Përmes zëdhënësit, Ilir Meta riktheu akuzat ndaj Edi Ramës për presion ndaj drejtësisë dhe si bashkëpunëtor të ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardjan Dvorani, për bllokim të Gjykatës Kushtetuese.

“Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës. Është e qartë se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja”, shkroi Tedi Blushi në rrjetet sociale.

Krahun, Presidentit ia afroi edhe bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila shigjetoi Ramën nga një aktivitet rinor i LSI-së, duke e quajtur si subjekt të mundshëm të SPAK-ut.

Partia Demokratike ndërkohë i konsideroi akuzat e kryeministrit Edi Rama si gjuhë të koduar që drejtësia të mos prekë korrupsionin ku socialistët janë të përfshirë.

PD bën thirrje ndaj SPAK-ut që të veprojë i pandikuar dhe pa dallime politike.