Është shoqëruar me debate të ashpra interpelanca me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu në momentin që ajo ka folur në lidhje me skandalin tek onkologjiku ku mungonin barnat kundër kancerit dhe mjekët i dërgonin pacientët te klinikat private.
Teksa dënoi aktin e mjekëve, ministrja deklaroi se aktorët e përfshirë në këtë histori të shëmtuar do të përballen me ligjin, ndërsa paralajmëroi ndryshime në ligjin për urdhrin e mjekëve, që shkelësit në të ardhmen të përballen me sanksione të ashpra.
“Detyrë morale për të prekur çështjen e onkologjikut, abuzimi i një grupi mjekësh që kanë luajtur me pacientët është një sjellje që ka një përgjigje ndëshkimin ligjor, administrativ dhe moral. Çdo njeri për ata që MSH ka nisur hetim krahas atij të prokurorisë ta mbajë në kurriz peshën e ligjit, por edhe të turpit.
Të gjithë ata që abuzojnë me detyrën do të përballen me ndëshkime dhe sanksione që ne do ti bëjmë në këtë kuvend duke amenduar dhe ligjin për urdhrin e mjekëve. Kam lexuar qëndrime nga ato kritiket, por edhe absurde që vërtiten rreth fatkeqësisht dhe abuzimit, për ta shfrytëzuar për të rrëzuar çdo investim dhe zhvillim në shëndetësi. Nuk mund të përbalten dhe ata që e vijojnë punën me devotshmëri.
Do të iniciojmë ndryshime në ligjin për urdhrin e mjekut”, tha mes të tjerash Koçiu e cila u përball dhe me opozitën që godiste tavolinat ndërsa ministrja fliste.
Tejet i ashpër ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili bërtiste nga vendi “Turp, turp!” Këtij të fundit, Koçiu i kërkoi ta shohë çështjen nga ana juridike, pasi dikur ka qenë Ministër Drejtësie.
“Zoti Bardhi, ke qenë dhe ministër Drejtësie. E di si funksionon shteti, më dëgjo… Flasim çdo ditë për autonominë spitalore dhe për të drejta të mjekëve, prandaj ka procedura administrative. Ju jeni jurist, e dini shumë mirë procedurën Të nderuarë deputetë, i nderuar zoti Shehu. Jam këtu për t’ju përgjigjur shqetësimeve që keni, por uroj që shëndeti riprodhues i grave e vajzave shqiptare të mos përmendet për motive politike. Po përpiqeni të krijoni një debat shterpë të ngritur mbi informacione të pavërteta”, tha Koçiu në sallën e Kuvendit.