Politika Opozita kërkon mocion me debat për raportin e DASH, Balla: Të diskutojmë...

Opozita kërkon mocion me debat për raportin e DASH, Balla: Të diskutojmë edhe shpalljen “non grata” të Berishës

Partia Demokratike, e grupimit të Sali Berishës ka kërkuar, këtë të enjte, ndryshim të Rendit të Ditës të Seancës Plenare, duke përfshirë një mocion me debat për Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Megjithatë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i kujtoi opozitës rregulloren dhe se kërkesa duhej të ishte nisur paraprakisht. Më pas, brenda tri ditësh do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të vendosur një datë kur mund të mbahet mocioni me debat.

Ndërsa theksoi se shumica qeverisëse është gati që të bëjë debat për raportin e DASH për Shqipërinë, Balla shtoi se debate mund të zhvillohen edhe për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.

“Edhe ne kemi kohë që duam të flasim për shumë gjetje të DASH. Shpallja non grata e një prej anëtarëve të Kuvendit dhe këto janë çështje që duhen diskutuar. S’kemi çfarë të votojmë. Nuk ka ardhur kërkesë, për mocion me debat.”

Balla i kujtoi po ashtu opozitës që kërkoi mocion me debat për çështjen McGonigal, por salla “përfundoi bosh, vetëm me deputetët e mazhorancës.”

“Jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë. Edhe vendimin e DASH. Kur nuk na pëlqen Blinken e çojmë në gjykatë në Paris, kur na pëlqen, e marrim një fjali nga raporti dhe e përdorim.”

Bylykbashi: Raporti i DASH ul në gjunjë qeverinë, po i hiqni opozitës çdo lloj kontrolli

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, u shpreh se për shkak se nuk po u jepet kjo e drejtë tregon rikonfirmimin që opozitës po i zhduket çdo lloj hapësire dhe kontrolli mbi qeverinë dhe mazhorancën.

“Çështjet që ngre raporti i DASH, janë çështje që ulin në gjunjë çdo lloj qeverie. Korrupsioni, abuzimi me të drejtat e shtetasve shqiptarë nga kjo qeveri. Dhunimi i lirisë së medias, koncesionet skandaloze. Dhunimi i zgjedhjeve, të gjitha i keni aty. Ka gjë më prioritare se kaq? Pra ne kemi kërkuar ndryshimin e rendit të ditës. Është e drejta jonë, e ka rregullorja. Kemi kërkuar specifikisht për të bërë një debat në lidhje me raportin e DASH. Çfarë duhet të sqarojmë më tepër ne? Debati e nxjerr. Pra SOT nuk ka asgjë tjetër përveçse rikonfirmim të asaj që kemi thënë për 1 vit e gjysmë rresht, opozitës po i ngushtoni dhe po i zhdukni çdo lloj hapësire kontrolli mbi qeverinë dhe mazhorancën. Por kur e thonë edhe raportet ndërkombëtare ju përsëri doni t’ia mbyllni mundësinë publikut që në debatin që bëhet në këtë sallë të kuptohet më shumë se kush është gjendja skandaloze e qeverisjes së shqiptare”, tha Bylykbashi.

Sa i përket kërkesës së opozitës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla përsëriti të njëjtin qëndrim se kërkesa duhej të ishte depozituar paraprakisht dhe të shqyrtohej në Konferencën e Kryetarëve.