Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve ka kaluar me të gjitha votat pro ndryshimet kushtetuese që sanksionojnë hapjen e listave zgjedhore, por jo ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke e lënë në fuqi proporcionalin rajonal.
Por partitë e koalicionit opozitar kanë shprehur qëndrimin se, përpjekjet e mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, minojnë marrëveshjen e arritur më 5 qershor me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
“Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit evropian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njëanshme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit evropian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit”, thuhet në deklaratën për mediat.
Në një deklaratë për mediat që vjen pas miratimit të ndryshimeve në Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, theksohet se, këto ndryshime mund të bëhen vetëm me referendum.
“Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës”, shprehet opozita e bashkuar duke kërkuar miratimin pa ndryshime të marrëveshjes së arritur më 5 qershor.