Debati për zgjedhjet lokale të 14 majin dhe disfatën e opozitës u transferua në foltoren e Kuvendit, disa ditë pas mbylljes së procesit të numërimit që caktoi dhe drejtuesit e rinj për 4 vitet e ardhshme.
Deputeti Flamur Noka rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e demokratëve se nuk do ta pranojnë këtë rezultat, që sipas tij u krijua si pasojë e angazhimit të pushtetit dhe parave të krimit.
“Sot është një ditë çdo shqiptar i ndershëm duhet të jetë kryeulur kur analizon që para dy ditësh u mbyll një proces i turpshëm në historinë e Shqipërisë për proceset zgjedhore. Në 14 maj nuk kishte zgjedhje, por një proces votimi. Të dielën u konfirmua se këtu nuk ka një qeveri demokratike. E diela konfirmoi se ka një narko-regjim. Në Shqipëri u tregua se vija ndarëse mes partisë së pushtetit dhe shtetit nuk ekziston. Para krimi, korrupsioni, shërbim informativ ishin garnizon i PS për të blerë, vjedhur, terrorizuar procesin e quajtur zgjedhor me kushtin që Rilindja të merrte 100% të pushtetit. Banda qeveria kishte një moto “Të gjithë pushtetin sovjetëve”. Kjo qeveri ka një mentalitet obskurantist. Kryeministri tha se po votuat opozitën do t’iu lemë pa ujë dhe pa drita”, tha Noka.