Tensioni i lartë mes mazhorancës dhe opozitës nuk ka munguar as këtë të enjte në Kuvend, edhe pse i pranishëm si mysafir ishte kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Tensioni arriti kulmin në momentet që nënkryetari i PD-së Edi Paloka sulmoi me bojë kreun e qeverisë Edi Rama, pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Xhaferrit, pasi sipas tij “fëmiu” Basha nuk di çfarë flet.
Në fjalën e tij, Basha i bëri thirrje popullit të marrë në duar fatin e vet të shtunën e 16 Shkurtit. “Zgjidhja e vetme politike për të shmangur krizën totale është ajo e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i zgjidhur problemet në mënyrë institucionale dhe ligjore. Shumica dërrmuese e shqiptarëve vidhen çdo ditë nga kjo klikë dhe ky sistem, ndaj ky sistem duhet përmbysur. Ne i provuam të gjitha, ta pastrojmë nga koka, me ligje me amendime, por sot e kuptuan të gjithë se ky sistem duhet përmbysur. Matanë gardhit të policëve është kryehajduti i kapur në vjedhje, në krahun tjetër është populli. 16 Shkurti është dita e madhe e bashkimit popullor kundër vjedhjes, kundër qeverisë hajdute. Derën e Europës do ta hapim të gjithë bashkë me 16 Shkurt. Merrni në dorë fatin tuaj”, tha Basha.
Këto deklarata ishin të papërshtatshme për kreun e qeverisë Edi Rama në një ditë që Kuvendi pritet të ratifikojë projektligjin “Për ratifikimin e për Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
“I dashur miku ynë, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, unë ju kërkoj ndjesë për këtë shkelje të kodit të mikpritjes, por dua t’ju siguroj që fëmiu që sapo foli, jo vetëm që nuk i mendon ato që thotë, por thjeshtë nuk di se çfarë thotë, edhe një herë ju kërkoj ndjesë“, tha Rama.
Kjo solli reagime nga salla, veçanërisht nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i cili sulmoi me bojë kreun e qeverisë.
“Paloka përjashtohet nga seanca, shërbimi ta nxjerrë jashtë. Dil përjashta”, tha kryeparlamentari Gramoz Ruçi, para se të urdhëronte ndërprerje të përkohshme të seancës parlamentare.
Në një reagim për mediat pas këtij incidenti, Partia Demokratike sqaroi se: “Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuajtja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinion publik”.