Politika Opozita parlamentare: Votojmë Kodin e ri Zgjedhor, por nuk na ka blerë...

Opozita parlamentare: Votojmë Kodin e ri Zgjedhor, por nuk na ka blerë Rama

Deputeti Lefter Maliqi ka konfirmuar votën e tij pro marrëveshjes për reformën zgjedhore që u arrit në Këshillin Politik më 5 qershor.

Në një deklaratë për mediat, Maliqi theksoi se edhe 11 deputetë të tjerë do të votojnë pro kësaj reforme, duke shtuar se “Zgjedhorja” është një nga kushtet që duhet plotësuar për hyrjen e Shqipërisë në BE.

“Pas marrëveshjes së 5 qershorit të firmosur nga të treja palët, unë kam deklaruar që jemi mbi 11 deputetë që votojmë marrëveshjen në rezidencën amerikan. Unë do vija me 6 deputetët, po 3 të parët e dhanë deklaratën, jemi mbi 11 deputetë dhe kjo i shërben drejtpërdrejtë integrimit të bashkimit Europian dhe thirrja ime është e drejtpërdrejtë, jemi shumë të vonuar. Kjo marrëveshje është mbështetur edhe nga Pompeo, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje sa më të shpejta dhe çdo vonesë është një lloj aktrimi dhe çdo nisme të opozitës së re po ju përdor kalorësi i rilindjes dhe i bëj thirrje të mos përdoren më. Votimi biometrik është arritja kryesore në këto zgjedhje. Bëj thirrje që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë. Nuk ka nevojë për votim të fshehtë por të jetë i hapur. Mbaj përgjegjësi që janë 11 emra që do e votojnë, por nuk mund të bëj publik emrat e tyre”

Po ashtu, edhe deputeti Gjetan Gjetani ka deklaruar se është pro marrëveshjes, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që ta dërgojë në Kuvend draftin pa humbur kohë.

Edhe katër deputetë të tjetër të opozitës parlamentare, Artur Roshi, Besnik Troplini, Suzana Topi dhe Fatjona Dhimitri janë shprehur pro marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Në një prononcim për mediat nga jashtë Kryesisë së Kuvendit, Dhimitri deklaroi se kjo marrëveshje është i vetmi kusht i plotësuar për hapjen e negociatave, ndërsa shtoi se ky konsensus nuk mund të mbahet peng.

Nga ana tjetër, Artur Roshi pohoi se ai dhe disa deputetë do të japin votën pro. Ndërsa, Troplini theksoi se Shqipëria ka vetëm dy rrugë për të ndjekur, BE dhe SHBA-të.

“Balli Kombëtar është një parti e hapur dhe ne kemi dalë gjithmonë mbi veten. Ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, ne nuk morëm atë që deshëm, por është ajo që i duhet vendit. Ne para integrimit nuk mund të zgjedhim një rrugë tjetër, pasi ajo është kusht për hapjen e negociatave. Jemi në një linjë me Fatmir Mediun dhe Agron Dukën sa i përket listave të hapura, dhe qëndrimet e mija i kam thënë edhe më herët”, tha Roshi.

Edhe Suzana Topi konfirmuar këtë të enjte se do të votojë pro marrëveshjes së arritur më 5 qershor në Këshillin Politik.

Në një postim “Facebook” deputetja Topi shkruan se tashmë Parlamenti e ka shumicën e nevojshme për të votuar një orë e më parë dhe për t’i qëndruar korrekt konsensusit.