Sali Berisha e sheh reformën në Kadastër si një hap tjetër ‘de facto’ sipas tij, ‘të shtetërimit të tokave’.
Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, Berisha u pyet në lidhje me këtë lëvizje të re të qeverisë dhe tha se Rama po vendos pushtetin e vet mbi tokat dhe po lëkund themelet e pronësisë.
“Është hap tjetër drejt ‘de facto’ shtetërimit të tokave. Hap tjetër. Pasi ka vendosur në një regjim pothuajse shtetërimi, me korporatën e investimeve strategjike që është yndyra e tokës shqiptare, pjesa nga Velipoja në Kepin e Stillës, të cilat shteti sipas ligjit që ka bërë mund t’i marrë kur të dojë si të dojë dhe t’ia japë ku të dojë. Ky po bën hapin tjetër dhe po ecën në këtë mënyrë. Ky po rivendos pushtetin e vet mbi tokën. Po lëkund themelet e pronësisë”, u shpreh Berisha.
Ditën e sotme u prezantua reforma në Kadastër. Sipas asaj që deklaroi kryeministri Edi Rama nga dita e hënë, 3 Korrik, sportelet e Kadastrës do të mbyllen dhe shërbimet do të merren të gjitha përmes e-Albania.
Berisha: Opozita po përgatitet për betejë
Sali Berisha, u shpreh se opozita po përgatitet për betejë, pasi ka për mision rikthimin e të drejtës së votës për shqiptarët.
Berisha tha se është gati për vendosjen e nenit për votimin e detyruar të qytetarëve.
-Duke iu referuar asaj se çfarë deklarojnë edhe analistët pro zotit Rama ku hedhin idenë që zotit Rama i intereson që të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë duke ndryshuar Kodin Zgjedhor, por edhe duke ndryshuar çështjen e kompetencave të presidentit. A është e gatshme opozita për një hap të tillë?
Sali Berisha: Opozita është e gatshme për betejë. Po përgatitet për betejë. Opozita ka për mision rikthimin e të drejtës së votës për shqiptarët. Opozita ka qenë, është dhe mbetet e betuar për sistem parlamentar në Shqipëri. Ky njeri që po flet këtu, në vitin 1992 ka pasur kompetenca ekzekutive dhe është shprehur që në atë kohë kundër dhe është gjithnjë kundër. Kurrë opozita nuk mund të marrë pjesë në një akt të tillë. Sa i përket ndryshimeve në kodin elektoral, jam shprehur dhe shprehem se jam plotësisht dakord me vendosjen e nenit për votimin e detyruar të qytetarëve. E kanë disa vende të lira dhe ato që e kanë vendosur, kanë pasur vetëm mirësi nga kjo, sepse ka shmangur blerjen e të drejtës së votës. E kanë vendosur demokraci të konsoliduara me shumë sukses si Australia vetëm për këtë arsye. Edhe atje bëhej kërdia me blerjen e votës nga oligarkët. Jam dakord plotësisht dhe e kam ngritur para disa vitesh uljen e moshës për të drejtën e votimit në 16 vjeç. Kam bërë fushatë për këtë në vitin 2013. Jam i hapur plotësisht për proporcional të pastër, për lista të hapura. Proporcionali i pastër nuk mund të injorohet. Ka që tani disa inkonvenienca se rrezikon të pasurit dhe të fortët të fitojnë, por kjo është e drejtë.