Vazhdojnë protestat e opozitës serbe ndaj qeverisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç. Mbështetës të ndryshëm të Aleancës për Serbinë, të drejtuar nga Boshko Abradoviç, tentuan të hynin me forcë në godinën e Asamblesë së Qytetit të Beogradit.
Por ata u ndaluan nga punonjëset femra të këtij institucioni, të cila bllokuan hyrjen. Situata u tensionua dhe ndaj punonjësve u dëgjuan fyerje të ndryshme nga protestuesit e opozitës. Ngjarja u dënua ashpër nga presidenti Vuçiç.
“Fashizmi nuk ka të ardhme në Serbi pasi demokracia është një regjim politik, të cilin e kemi përqafuar dhe do të vazhdojmë ta ruajmë”, tha Vuçiç.
Më tej, kreu i shtetit serb falenderoi punonjëset për veprimin e tyre në mbrojtje të vendit dhe institucioneve.
“Ato treguan se janë në gjendje të ngrihen kundër fashizmit. Imazhi i tyre duke mbajtur duart për të mbrojtur një institucion ndaj fashistit Obradoviç, është imazhi më i bukur.”
Ndërkohë, sipas mediave serbe, dy punonjëse u lënduan gjatë këtij aksioni të opozitës. Aleanca për Serbinë protestoi kundër projekteve të Bashkisë për Beogradin dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre me atë çfarë është bërë deri më tani.