Politika “Opozitë pazaresh”, Berisha sulmon Bashën nga Vora dhe kërkon votat e LSI-së

“Opozitë pazaresh”, Berisha sulmon Bashën nga Vora dhe kërkon votat e LSI-së

Nga Vora ku prezantoi kandidatin Lulzim Vrana të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryedemokratin Lulzim Basha për opozitë pazaresh.

Berisha u shpreh se opozita nën drejtimin e Bashës ishte një fatkeqësi. Teksa u bëri thirrje qytetarëve që të mos mashtrohen nga kandidati i Lulzim Bashës për shkak të logos.

“Fatkeqësia jonë tjetër e madhe, ajo që duhet të ishte opozitë vigane, na doli një kallp opozitë, na doli një opozitë pazaresh, një opozitë turpi. Arrin problemi që sot ai që ju 8 vite me radhë e mbështetët nga mëngjesi deri në darkë për ta parë atë Kryeministër, sot ai mban logon dhe vulën me policët e Edi Ramës dhe mendon se do mashtrojë qytetarët të votojnë për shkak të logos kandidatin e tij. Çdo qytetar e ka të qartë si dritën e diellit se Lulzim Basha kurrë nuk mund të përballet me Edi Ramën sepse ai mban logon, vulën, ndërtesën vetëm me policinë e tij”, tha Berisha.

Ish-kryeministri kërkoi nga banorët e Vorës që të votojnë kandidatin e tyre Lulzim Vrana. Këtë thirrje ai ua drejtoi edhe mbështetësve të LSI-së, të PDK-së dhe të partive të tjera opozitare.

“Çdo votë për Lulzim Vranën dhe asnjë votë për ata që kanë frikë nga vota juaj. U bëj thirrje gjithë anëtarëve të partive opozitare, LSI, demokristianëve të bashkohen në këtë betejë për një fitore të shkëlqyer në 6 Mars, për një fitore të merituar”, u shpreh Berisha.