”Oppenheimer” rrëmbeu edhe çmimin Bafta, ku u shpall filmi më i mirë, me regjisorin më të mirë, me aktorin më të mirë dhe me aktorin më të mirë në rol episodik.
Biografia epike e Christopher Nolan për J Robert Oppenheimer, fizikani teorik i përshkruar si babai i bombës atomike, mori shtatë çmime në ceremoninë në ”Royal Festival Hall” në Londër.
Regjisori britanik nderoi yllin e tij, Cillian Murphy dhe falënderoi ata që e mbështetën filmin e tij.
Ai gjithashtu pranoi përpjekjet e organizatave të çarmatimit bërthamor për të sjellë paqen.
“Unë thjesht dua të them se filmi ynë përfundon në atë që unë mendoj se është një notë dramatike e nevojshme dëshpërimi. Por në botën reale, ka të gjitha llojet e individëve dhe organizatave që kanë luftuar gjatë dhe fort për të zvogëluar numrin e armëve bërthamore në botë. Duke pranuar këtë, unë thjesht dua të vlerësoj përpjekjet e tyre dhe të theksoj se ato tregojnë domosdoshmërinë dhe potencialin e përpjekjeve për paqe”, tha Nolan.
Murphy u shpall aktori më i mirë për rolin kryesor dhe i tha Nolanit “faleminderit që më keni shtyrë gjithmonë dhe kërkoni përsosmëri, sepse kjo është ajo që edhe ju jepni herë pas here”.
Ai tha se ”Oppenheimer” ishte një “personazh kolos” duke shtuar se “ne kemi një hapësirë për të debatuar, marrë në pyetje dhe hetuar atë kompleksitet dhe është një privilegj të jem pjesë e këtij komuniteti me të gjithë ju”.
Robert Downey Jr fitoi çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor për rolin e tij si Lewis Strauss, kreu i Komisionit të Energjisë Atomike dhe tha për Nolan se “kohët e fundit ai tip sugjeroi që të provoja një qasje të nënvlerësuar, si një përpjekje e fundit për të ringjallur besueshmërinë time në rënie”.
Ai tha se çmimin ia ka borxh Nolanit, producentit Emma Thomas dhe Murphy si dhe ”influencës britanike”.
”Oppenheimer” gjithashtu fitoi çmimin Bafta për fotografinë, partiturën dhe montazhin më të mirë.
Emma Stone u shpall aktorja më e mirë për filmin ”Poor Things”, përshtatja e përrallave dhe romanit me të njëjtin emër nga autori skocez, Alasdair Grey.
”Poor Things” fitoi pesë çmime në total, duke përfshirë dizajnin e kostumeve, grimin dhe flokët, dizajnin e produksionit dhe efektet vizuale.
Da’Vine Joy Randolph fitoi çmimin e aktores dytësore për rolin e saj si një kuzhiniere e pikëlluar në ”The Holdovers”.
Çmimi i skenarit të përshtatur iu dha ”American Fiction”, për një romancier të frustruar që shkruan një libër që e shtyn atë në qendër të hipokrizisë që ai përçmon.
Drama e Holokaustit ”The Zone Of Interest”, e drejtuar nga regjisori britanik Jonathan Glazer u shpall filmi më i mirë jo në gjuhën angleze.
”The Boy And The Heron” u shpall filmi më i mirë i animuar, ndërsa ”20 Days In Mariupol” u shpall dokumentari më i mirë.