Tre vjet pas mbylljes së Universitetit të Europës Qendrore, qeveria hungareze duket se po i lëshon terrenin e tij një universiteti kinez. Muajin e kaluar, Hungaria nënshkroi një marrëveshje strategjike me Universitetin Fundan, për hapjen e një kampusi në Budapest, në vitin 2024.
Qeveria e Viktor Orbanit thotë se hyrja e universitetit kinez në vend, i pari në BE, do të rrisë standardet e arsimit në Hungari.
Por të shumtë janë ata që e kundërshtojnë këtë projekt. Mes tyre është edhe vetë kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karacsony, sipas të cilit, projekti në fjalë do të rëndojë padrejtësisht mbi taksapaguesit, në një kohë që nuk ka as transparencë për kontratat.
“Derisa qeveria të sigurojë zbulimin e plotë të të gjitha detajeve të projektit, ne nuk kemi asgjë për të negociuar, që do të thotë se ne nuk do ta japim pëlqimin për ndërtimin e universitetit kinez”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas mediave në Hungari, kostoja paraprake e ndërtimit të kampusit Fudan është 1.8 miliard dollarë – më shumë sesa shpenzimet e qeverisë hungareze për të gjithë sistemin e saj të arsimit të lartë për vitin 2019. Universiteti do të ndërtohet me financima 20 për qind nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër e parave do të sigurohet nga një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga një bankë kineze.
Ekspertët në Hungari e shohin këtë projekt si shembullin konkret të marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta të Orbanit me Kinën.
“Hungaria është – dhe do të mbetet – pjesa kryesore për angazhimin kinez në Europën Qendrore dhe kjo është bërë edhe më e vërtetë gjatë pandemisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Paul Stronski, nga Instituti Carnegie Endoëment për Paqen Ndërkombëtare.
Hungaria është i vetmi vend anëtar i BE-së që ka refuzuar shqetësimet që Perëndimi ka ngritur për sigurinë, që paraqesin kompanitë kineze, si Huawei, për rrjetet 5G. Po ashtu, në Budapest gjendet edhe baza më e madhe e prodhimit e Huaëeit jashtë Kinës dhe një qendër e re rajonale e kompanisë për kërkime dhe zhvillim.
Ekspertët thonë se me ftohjen e Orbanit me BE-në, ai po sheh për një aleat të mundshëm në Lindje. Dhe Kina i përmbush të gjitha kushtet. Tamas Matura, profesor në Universitetin Corvinus në Budapest dhe themelues i Qendrës së Evropës Qendrore dhe Lindore për Studime Aziatike, thotë se pas kritikave dhe shqetësimeve të BE-së për sundimin e ligjit në Hungari dhe keqpërdorimin e fondeve të bllokut, Orban po gjallëron miqësinë me Kinën.
“Në kuadër të betejës së Orbanit me BE-në, ai ka nevojë për një vëlla të madh si Kina”, tha Matura.