Kryeministri hungarez Viktor Orban ka sfiduar hapur autoritetin e BE-së, duke u shfaqur në mesin e fermerëve të zemëruar që protestojnë para selisë së Parlamentit Europian, në prag të samitit joformal të liderëve në Bruksel.
“Është gabim i Evropës që nuk e merr seriozisht zërin e popullit”, është fjalia me të cilën Orban iu drejtua protestuesve, teksa i takonte.
Në një video të postuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Orbán shpreh hapur mbështetjen për fermerët, në prag të “përleshjes” me 26 homologët e tij evropianë për paketën e ndihmës prej 500 miliardë eurosh për Ukrainën.
Back in #Brussels. We will stand up for the voice of the people! Even if the bureaucrats in Brussels blackmail us. #FarmerProtests pic.twitter.com/9Zws6ek9Hc
— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) January 31, 2024
Në video ai shihet duke ecur mes 1300 traktorëve që kanë paralizuar “zemrën” e Brukselit pas rënies së natës dhe duke i shtrënguar dorën protestuesve.
“Komisioni Evropian duhet të përfaqësojë interesat e fermerëve evropianë përballë ukrainasve dhe jo anasjelltas. Zgjidhja e këtij problemi është ndryshimi i zyrtarëve në Bruksel me rastin e zgjedhjeve evropiane në qershor”, deklaron lideri i partisë ekstremiste Fidesz, duke kundërshtuar konkurrencën “e pandershme” të produkteve ukrainase.
Udhëheqësi nacionalist kishte deklaruar në fillim të kësaj jave se mobilizimi i fermerëve tregon se “në çfarë mase Ukraina është një problem serioz për Evropën, pavarësisht luftës”.
“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse Ukraina është një vend i madh. Dhe qasja e saj në BE, dhe në të vërtetë pranimi i saj, do të ketë një ndikim të madh, shkatërrues për ekonomitë evropiane, veçanërisht në sektorin e bujqësisë”, tha ai në një intervistë me revistën Le Point.
Udhëheqësi hungarez, i vetmi nga 27 liderët evropiane që mban marrëdhënie të ngushta me Moskën, që nga dhjetori ka bllokuar paketën e ndihmave për Ukrainën dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht se siç deklaron ai burokratët evropianë po e shantazhojnë.