Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë një prej politikanëve që kur ka deklaruar pasurinë në vitin 2005 ka deklaruar edhe sendet personale si unazat, orën, makinën etj.
Gazetarja Aranita Brahaj tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se Basha nuk ka pasur transaksione të theksuara gjatë periudhës që ka qëndruar në pushtet.
“Zoti Basha është nga të parët deklarues i cili duke respektuar dhe ndoshta kultura të ndryshme nga administrata shqiptare deklaroi edhe sende personale që kanë një farë vlere personale. Unazën e martesës, orën, makinën që e kishte blerë më përpara. Nuk ka transaksione të theksuara gjatë periudhës që ai qëndruar në pushtet. Ndoshta ne kemi një mungesë të deklaratave për vitin 2018 dhe 2019 sepse Basha nuk është më subjekt i deklarimit sepse ka lënë parlamentin dhe duke lënë parlamentin është qytetar i thjeshtë”, tha gazetarja.
Basha rezulton të ketë shitur një apartament në Holandë, të jetë pronar i dy apartamenteve në Tiranë dhe në Durrës, bashkëpronar i një trualli etj., pasuri këto që i ka deklaruar para se të hynte në pushtet.
Por çfarë sendesh personale ka deklaruar në vitin 2005 Basha?
“Pikturë me vlerën 6500 Euro; orë dore me vlerë 5200 Euro, orë dore me vlerë 4500 euro, unazë me diamante 11 500 euro dhe servis porcelani 68000 euro”.
Brahaj tha se Basha ka hyrë në politikë me një pasuri prej 224 mijë eurosh dhe 319 mijë Dollarësh.