Natën e ndërrimit të viteve nuk e ndriçuan vetëm fishekzjarret. Por edhe qielli ofroi një spektakël festiv, ku planetët, e yjet ndriçuan orët e para të vitit 2020.
Shkëlqim të jashtëzakonshëm në qiellin e pastër dhanë Hëna, Afërdita dhe Siriusi, një yll i bardhë dhe yjësia e Orionit, më e njohura e netëve dimërore.
Por protagonistë kanë qenë edhe yjësitë e Demit dhe Binjakëve, e jo vetëm, sepse nga Toka janë admiruar qartë në qiellin e kthjellët edhe Pegaso, Andromeda dhe Perseu.
Të apasionuarit pas astronomisë kanë shijuar një spektakël të dyfishtë në këtë natë të mrekullueshme të ndërrimit të viteve, ndërkohë që kometa aliene Borisov tashmë është larguar nga Toka, duke iu afruar më shumë Diellit, dhe për këtë arsye nuk ka qenë më e dukshme.