Një tjetër emër i është shtuar listës së kandidatëve për President të Republikës.
Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra” ka propozuar kolonel Dritan Demiraj si kandidat për president.
Organizata më e vjetër e diasporës, është e mendimit se ish-ministri i Brendshëm demokrat i qeverisë teknike të 2017-s, është emri më i mirë për president.
Demiraj u vendos ministër brenda qeverisë Rama, si propozim i demokratëve, për të shmangur vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s, të cilat u humbën nga opozita.
“Zoti Dritan Demiraj ka një biografi dhe aktivitet të pasur si një nga ish ushtarakët e lartë më të dekoruar në dhe të vlerësuar në dekadat e fundit. Roli i tij në përfaqësimin me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të njësive të forcave të armatosura ka bërë krenarë jo vetëm shqiptarët brenda vendit por mbarë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë në botë,” – thuhet në letrën drejtuar Kuvendit.