Kryesore OSBE: Ku janë dënimet e të korruptuarve?

OSBE: Ku janë dënimet e të korruptuarve?

OSBE vlerësoi sot se korrupsioni është një problem serioz për Shqipërinë dhe investimet e huaja, ndaj në Tiranë duhet bërë shumë më tepër për ta luftuar atë.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se nevojitet përfundimi i hetimeve dhe dënimeve për zyrtarët e korruptuar.

“Ne ndihmuam në ngritjen e portalit “stopkorrupsioni”, falë të cilit mbi 100 raste korrupsioni u dërguan në prokurori. Po ku janë rezultatet? Ku janë paditë? Ku janë dënimet? E njëjta pyetje duhet ngritur për krimin zgjedhor. Rastet e blerjes së votës i janë referuar prokurorisë. Ku janë paditë?”, pyeti ambasadori Borchardt.

Njëlloj ai pyeti për rezultatet e munguara edhe për transparencën e financimit të partive politike, ku bashkësia ndërkombëtare kërkoi të ngrihej një sistemi auditimi efektiv dhe llogaridhënës.

Në vende të tjera, institucionet e forta dhe të pavarura kundër korrupsionit janë një mjet mjaft i dobishëm për të luftuar korrupsionin, ndaj ai rekomandoi që të punohet për ngritjen e një organi të tillë edhe këtu në Shqipëri.

“Reforma në Drejtësi është me rëndësi kryesore. Por ajo nuk është gjithçka. Korrupsioni është kërcënim për çdo qytetar, çdo ditë. Ne e nxitim Shqipërinë të bëjë më shumë kundër tij. OSBE-ja mbetet e gatshme ta mbështetë Shqipërinë në këtë përpjekje. “Juve dhe vetëm juve ju takon vendimi nëse doni që zyrtarët publikë të japin llogari për korrupsionin”,  tha ai.

Ambasadori Borchardt i bëri këto komente në veprimtarinë përmbyllëse të projektit dyvjeçar “Për mbështetjen e masave antikorrupsion në Shqipëri”, i mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Shkolla Italiane e Administratës Publike.

Ai tha se pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare, janë vetë shqiptarët që duhet t’i përdorin trajnimet dhe njohuritë, nëse dëshirojnë të sjellin ndryshim.

Shqipëria ka miratuar një Kod Sjelljeje kundër Rryshfetit për komunitetin e biznesit, ka zhvilluar fushata ndërgjegjësimi dhe anketa kundër rryshfetit dhe ndikimit të tij në klimën e investimeve, megjithatë korrupsioni është ende shumë i përhapur në shumë nivele të strukturave publike e private.

Shqipëria vlerësohet se ka bërë disa hapa me rëndësi në luftën kundër korrupsionit. Organizata Transparency International e ngriti Shqipërinë në 39 pikë nga 31 që kishte në vitin 2013, por gjendja është ende kritike dhe ende larg 100 pikëve për t’u quajtur e përmirësuar./VOA