Banorët e Tiranës, por edhe fshatrat përreth do të kenë një furnizim më të mirë me energji elektrike në saj të investimit rreth 1 miliard lekë që ka nisur tashmë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Investimi përfshinë rikonstruksionin e afro 400 kabinave si dhe shtrimin e 10 fiderave të rinj nga nënstacionet Selitë dhe Traktora.
Investimi prek si tensionin e mesëm ashtu edhe atë të ulët ndërsa punimet pritet të përfundojnë para sezonit të dimrit të 2019-ës. Përmes tyre synohet jo vetëm rritja e cilësisë së furnizimit me energji elektrike por edhe ulja e humbjeve në rrjet.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e Operatorit të Energjisë Elektrike, Adrian Çela, kanë inspektuar punimet që po kryhen për këtë projekt në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet.
Drejtori i OSHEE Tiranë, Klevis Jahaj, bëri të ditur se kabinat ku po ndërhyhet janë ndërtuar kryesisht gjatë viteve ’90-të dhe prej vitesh nuk është bërë asnjë investim në to. Gjithashtu sipas Jahaj, në saj të 10 fiderave të rinj që do të shtrihen në dy nënstacionet, do të bëhet e mundur normalizimi i mbingarkesës gjatë sezoneve të pikut.
“Ky investim kap vlerën e 1.1 miliardë lekëve dhe përfshirën rreth 250 mijë abonentë të OSHEE-së të cilët do të përfitojnë nga ky investim dhe normalisht do të ndikojë qoftë në cilësinë e furnizimit me energji elektrike por gjithashtu dhe në tregues të tjerë, atyre të humbjeve. Gjithashtu 10 fiderët e rinj të cilët po shtohen nga nënstacioni i Selitës dhe ai i Traktorit do të bëjnë që të normalizojë mbingarkesën që kanë fidrat aktual në momentet e pikut”, tha Jahaj.
Nga ana e saj, ministrja Balluku u shpreh se investimet që po kryhen në rrjetin e Tiranës janë investime që ndikojnë direkt në performancën e OSHEE-së dhe në gjithë sektorin energjetik dhe se përmes tyre është bërë e mundur ulja e ndjeshme e humbjeve të energjisë në rrjet.
“Kërkesa për energji në Tiranë arrijnë në 37 përqind të kërkesës kombëtare. Sigurisht i gjithë investimi që OSHEE ka bërë deri më sot ndikon ndjeshëm jo vetëm në uljen e humbjeve në rrjet për Tiranën, nga 35% që ka qenë në vitin 2014, sot është 16.8%, pra katër-mujori i parë i 2019-ës është vërtetë diçka për t’u shënuar por nga ana tjetër sigurisht duke qenë se është më shumë se 1/3 e tregut të kërkesës së energjisë elektrike, investimet që kryhen në rrjetin e Tiranës janë investime që ndikojnë direkt në performancën e OSHEE-së dhe të gjithë sektorit energjetik”, u shpreh ministrja Balluku.
Përmes rikonstruksionit të kabinave synohet vendosja e pajisjeve bashkëkohore, duke zëvendësuar teknologjinë e vjetër. ¼ e kabinave të reja do të përshtaten me teknologjinë RMU (telekomandim në distancë, monitorim online dhe transmetim të dhënash). Këto kategori kabinash rrisin sigurinë dhe shpejtësinë e manovrimeve në rast defektesh ose mbingarkesë në rrjet. Brenda muajit qershor investimet do të nisin edhe në zonat rurale të Tiranës.