Nga viti 2017, filantropi Osman Kavala ndodhet në një burg në Turqi, i akuzuar për përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Arrestimi dhe burgosja e aktivistit të shoqërisë civile, nxiti reagime nga Perëndimi, por thirrjet e tyre nuk janë pritur mirë nga Presidenti turk Erdogan. Muajin që shkoi, thirrjet e perëndimit për lirimin e tij gati sa nuk shkaktuan një problem të thellë diplomatik mes Ankarasë dhe aleatëve perëndimorë.
Filantropi Osman Kavala, njeriu që ishte i përfshirë në tensionet diplomatike mes Ankarasë dhe aleatëve të saj perëndimorë muajin e kaluar, luajti një rol të madh në zhvillimin e shoqërisë civile turke përpara se të burgosej në vitin 2017 me akuzën se kërkonte përmbysjen e qeverisë.
Të premten, ai u shfaq në seancën e tij të parë dëgjimore nga momenti kur thirrja e vendeve perëndimore për lirimin e tij nxiti një kërcënim të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për dëbimin e ambasadorëve të tyre.
Zoti Kavala, 64-vjeçar, për vite me radhë ka qenë i përfshirë në shumë projekte të shoqërisë civile, nga një shtëpi botuese që synonte të nxiste ndryshime shoqërore pas grushtit të shtetit në Turqi në vitin 1980, e deri tek zhvillimi i kulturës përmes organizatës së tij Anadolu Kultur.
Angazhimi i tij u ndal papritur më 18 tetor 2017, kur ai u arrestua në aeroportin Ataturk të Stambollit. Dy javë më vonë ai u burgos dhe ishte në pritje të gjyqit, me akuzën për përpjekje për të rrëzuar me forcë qeverinë – një akuzë që mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Që atëherë ai është mbajtur në burgun Silivri, afër Stambollit, dhe po gjykohet në një rast që ka nxitur vëmendje dhe mbështetje nga zyrtarë të huaj dhe grupe për të drejtat e njeriut.
Në përvjetorin e katërt të arrestimit të tij, ambasadori amerikan dhe nëntë të tjerë, kërkuan përmes një deklaratë të përbashkët “lirimin urgjent të tij” dhe një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të rastit të tij.
Presidenti Erdogan u përgjigj duke kërcënuar me dëbimin e ambasadorëve. Një krizë e thellë diplomatike u shmang vetëm pasi ambasadat lëshuan deklarata ku thonin se respektojnë konventat diplomatike për mosndërhyrje. Më pas zoti Erdogan u tërhoq.
Në një deklaratë përpara se të bëhej pjesë e lajmeve ndërkombëtare, zoti Kavala kishte thënë se interesi ndërkombëtar për rastin e tij i rrit moralin por gjithashtu i shkakton ngarkesë.
Ai akuzohet për financimin e protestave mbarëkombëtare më 2013, që u shkaktuan nga planet për rizhvillimin e parkut Gezi të Stambollit dhe gjithashtu për përfshirje në një grusht të dështuar shteti më 2016. Ai i mohon këto akuza.
Kritikët thonë se gjykatat e Turqisë janë shfrytëzuar për të ndëshkuar kundërshtarët e Erdoganit, por qeveria thotë se gjyqësori është i pavarur.
Zoti Kavala ishte në shënjestër të fjalimeve të Presidentit Erdogan, i cili e quante atë si “mbetje të Sorosit”, ndërsa përbuzte të huajt që e mbështesin.
Aktivisti Kavala thotë se qëndrimi në burg për katër vite, e ka dëmtuar shumë atë dhe familjen e tij./VOA