Kosova Osmani flet për takimin me Vuçiç: Nuk është i interesuar për zgjidhje...

Osmani flet për takimin me Vuçiç: Nuk është i interesuar për zgjidhje dhe paqe

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është zhvilluar një takim i shkurtër i përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz, ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe një herë u dëshmua se Vuçiç nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë. Por, unë do të vazhdoj të punoj me partnerët tanë, me Gjermaninë, me Francën, me SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Blinken. Ka mundësi që të gjenden zgjidhje përpara”.

Presidentja Osmani theksoi se “vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”.

Osmani ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës.

Osmani tha se këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Unë i thashë që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.

“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.

Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serb të komunave veriore.

“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.

Duke iu referuar situatës në komunat veriore, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, Osmani tha se situate mund të shtensionohet vetëm nëse Serbia ndalë bandat kriminale atje.

“Mund të ketë shtensionim të situatës, por shtensionimi nis në Beograd, duke ndaluar këto banda kriminale që të shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm. Kjo është kyçe dhe këtë e kemi kërkuar që të ndodhë”, tha Osmani.