Kryesore Osmani: Një Shqipëri më e fortë do të thotë edhe një Kosovë...

Osmani: Një Shqipëri më e fortë do të thotë edhe një Kosovë më e fortë. Të unifikojmë politikën e jashtme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli në mbledhjen e përbashkët të parlamenteve të Kosovës dhe të Shqipërisë, që u mbajt këtë të premte në Prishtinë.

Osmani bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes dy qeverive, ndërsa theksoi se Kosova përballet me pengesa dhe në këtë rrugë të saj të vështirë, duhet mbështetja e Shqipërisë.

“Ne po jetojmë në një kohë të trazuar që kërkon bashkëpunim. Kjo nuk është thjesht një zgjidhje. Një Shqipëri më e fortë do të thotë edhe një Kosovë më e fortë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi për të ndërtuar harmoninë e domosdoshme. Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e shteteve brenda familjen e madhe europiane.

Shqipëria po bën hapa vendimtar drejt rrugës së BE-së. Kosova mbetet e palëkundur drejt rrugës së saj për integrim në BE dhe angazhimi ynë është i çdoditshëm. Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rritet, na duhet mbështetje e palëkundur e Shqipërisë në këtë drejtim.

Të unifikojmë politikën e jashtme, të bashkëpunojmë në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo jetojnë. Shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, i kanë sytë nga ne. Për Kosovën, Shqipëria ka qenë më shumë se një shtet motër”, tha Presidentja Osmani.

Për Presidenten e Kosovës, Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh.

“Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një ardhme e ndritur e cila po ndërtohet dita ditës”, tha Osmani.

Kjo seancë, sipas Osmanit, duhet të shërbejë si një thirrje për veprim, “një kujtesë se qëllimi i yni i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha dhe përpjekje edhe më të palodhshme”.

“Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë”, shtoi.

Presidentja e Kosovës se historia nuk do t’i gjykojë me dashamirësi nëse “nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin dhe harmoninë e domosdoshme”.