Pretendimet për persekutim të serbëve në Kosovë, të pabaza! Janë në trysni nga qeveria e Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur akuzave të kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuçiç në Këshillin e Sigurimit në OKB. Osmani u shpreh se pretendimet e Serbisë për persekutim të serbëve në Kosovë janë të pavërteta e të pabaza. Sipas saj, serbët po largohen nga Serbia si pasojë e regjimit të Vuçiç dhe për këtë solli disa statistika nga Eurostat.
“Duhet ta bëj të qartë që në fillim, se pretendimet nga Serbia për pastrim etnik dhe persekutim të serbëve janë të pavërteta, të pabaza dhe me motive politike. Këto narrativa janë diskretituar nga Komiteti i Helsinkit, për të drejtat e njeriut deri tek PE e shumë organizata të tjera. Përkundrazi rreth 500 mijë serbë, afër gjysmë milionë kanë lënë Serbinë gjatë pushtetit të Vuçiçit sipas Eurostat dhe është e qartë se prej kujt po ikin serbët. Serbët e Kosovës që përbëjnë 3-4% të popullatës sonë kanë një ndikim të papërsëritshëm ligjor përfshirë arsimimin, fenë, qeverisjen lokale të drejtat e njeriut, të drejtën e pakicave etnike e kështu me radhë në praktikë. Interesat e tyre mbrohen edhe nëse 110 prej 120 deputetëve do të votonin kundër tyre. I takon serbëve të vendosin për veten. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës siguron që gjuha serbe njihet në të gjithë Kosovën duke ofruar arsimimin dhe shërbimet publike në gjuhën serbe”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës u shpreh se 25 vite pasi NATO i dha fund fushatës genocidale të Millosheviçit, Serbia vijon përpjekjet për destabilizim ndaj Kosovës. Këtu përmendi marrjen peng të policëve, sulmet ndaj gazetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it si dhe stërvitjet ushtarake në kufi me Kosovën.
“Ajo që është shumë e qartë është se Serbia bën përpjekje për të prishur procesin e integrimit të Kosovës duke përdorur akte dhe veprime terroriste e kriminale duke rrezikuar rendin kushtetues të Kosovës. Serbët janë detyruar të japin dorëheqje masive për shkak të shtypjes nga struktura ilegale serbe”, tha ajo.
“Serbët e Kosovës janë në trysni, por jo nga qeveria e Kosovës, por qartazi nga qeveria e Serbisë”, shtoi Presidentja e Kosovës.
Sipas Osmanit, Kosova ka ruajtur vlerat e saj duke demonstruar pjekuri politike dhe mbajtjen e standardeve më të larta ndërkombëtare.
Sa i përket asociacionit, Osmani tha se emri i dytë i Serbisë është “moszbatim i marrëveshjeve” dhe i konsideroi hipokrizi deklaratat e Vuçiç për përmbushjen e marrëveshjeve nga Kosova.
“Fillimisht është nënshkruar si pjesë e një marrëveshje në vitin 2013, por nuk është dashur të bëhet një çështje e izoluar. Disa kushte duhej të përmbusheshin nga Serbia para se të lehtësohej asociacioni e sidomos obligimi që të shkatërroheshin strukturat liegale. Serbia nuk ka përmbushur asnjërën, dhe strukturat ilegale i ka shndërruar në struktura paramilitare që bëjnë destabilizim dhe sulme kundër gjithë fqinjëve. Moszbatimi i marrëveshjeve është tashmë emri i dytë i Serbisë dhe është hipokrizi ku Serbia na mban ligjërata për nevojën që ne t’i përmbushim marrëveshjet kur ata asnjë marrëveshje nuk përmbushin sepse ka shumë që nuk janë zbatuar prej tyre. Kur vjen puna te Marrëveshja e Brukselit në vitin 2023 ka 11 nene jo vetëm 1. Para se të shkoj tutje Vuçiç duhet të qartësojë nëse e pranon marrëveshjen e 2023 siç ka thënë qeveria e tij në një letër se nuk e pranon këtë. Në emër të Kosovës jam këtu për t’u përkushtuar edhe njëherë para gjithë jush se kemi ndërmend të implementojmë këtë marrëveshje shumë shpejt, në plotësi dhe pa asnjë kusht. Një Vuçiç që brengoset për qytetarët e tij në Kosovë nuk është Vuçiç që shkon kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që është organizatë e të drejtave të njeriut. Nëse qëllimi i tij i mirëfilltë është t’i trajtojë të drejtat e serbëve në Kosovë, duhet të jetë avokati më i fuqishëm për pranimin e Kosovës në KiE që domethënë më shumë të drejta të njeriut për serbët në Kosovë”, tha Osmani.
Osmani i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).