Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington D.C.
Osmani shkroi në rrjete sociale se me Ramën u takua “për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet e përbashkëta” që Kosova “t’i bashkohet Shqipërisë” në NATO.
“Me Kryeministrin Edi Rama, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C. për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin”, shkruan Osmani.
Presidentja e Kosovës Osmani, po qëndron në Uashington D.C. me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s.
Ndërkaq kryeministri Edi Rama është në Uashington për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si udhëheqës i një vendi anëtar të NATO-s.