Aktualitet OST rehabiliton nënstacionin e Rubikut, Balluku: Do vijojmë investimet për zhvillimin ekonomik...

OST rehabiliton nënstacionin e Rubikut, Balluku: Do vijojmë investimet për zhvillimin ekonomik të zonave

Një investim prej 1.3 milionë eurosh i Operatorit të Sistemit të Transmetimit ka bërë të mundur rehabilitimin e Nënstacionit Elektrik të Rubikut, nëpërmjet të cilit furnizohet nënstacioni 35/6 kV i qytetit të Rrëshenit si dhe afërsisht 2000 abonentë familjare të Rubikut dhe shumë subjekte private që operojnë në zonë.

Nënstacioni është ndërtuar në vitet ’60-të dhe për thuajse 60 vite aty nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Mungesa e investimeve ka bërë që vit pas viti ky nënstacion të amortizohej, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e furnizimit të banorëve. Por situata tashmë ka ndryshuar tërësisht falë ndërhyrjes së kryer.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i OST, Skerdi Drenova dhe kryetari i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj ka inspektuar investimin e kryer si dhe është njohur nga afër me impaktin që do të ketë në këtë zonë.

Drejtori i OST, Skerdi Drenova e njohu ministren me ndërhyrjet që janë përfshirë në projektin e rehabilitimit: “Është bërë rinovimi total i të dy trakteve, që sjellin dy linjat 110 dhe kjo bën që në të gjithë zonën e Rubikut dhe të Rrëshenit dhe të gjithë fshatrave përreth të kemi një siguri të lartë të furnizimit me energji elektrike. Kemi si linjën që vjen nga Ulza ashtu dhe linjën tjetër që vjen nga Repsi dhe kjo sjell që në çdo lloj rasti të dy linjat kombinojnë me njëra-tjetrën që mos të kemi ndërprerje të energjisë elektrike”.

Për kryetarin e Bashkisë së Mirditës, Ndrec Deda investimi i bërë në nënstacionin e Rubikut është mirëpritur nga qytetarët, pasi cilësia e furnizimit me energji elektrike ka qenë një shqetësim i mbartur ndër vite nga banorët, të cilët furnizohen nga ky nënstacion elektrik. Ai theksoi se edhe OSHEE është duke kryer një investim rreth 100 milionë lekë të reja për rrjetin e shpërndarjes në Rrëshen, në fshatrat Kodër Rrëshen, Orsek dhe Domgjon.

Investimi i realizuar garanton rritje të kapaciteteve të nënstacionit duke ju përgjigjur kështu edhe zhvillimit turistik të kësaj zone. Ministrja Balluku theksoi se synimi i Qeverisë është pikërisht të garantojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në zonat me potencial të madh turistik.

“Të gjitha hapat që ne po hedhim në zhvillimin e turizmit sot nuk kanë të bëjnë vetëm me zhvillimin e një zone, kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit, pra ngritjen e një ekonomie shkalle edhe shpesh herë edhe me një zhvillim rajonal më të gjerë, pasi duke krijuar një zonë turistike në Shqipëri mund të vizitohen dhe zonat turistike të Kosovës apo dhe ato të Maqedonisë së Veriut. Qeveria Shqiptare është e angazhuar për të vazhduar dhe për të investuar në infrastrukture, sidomos në infrastrukturën jetike që është ajo e ujit, kanalizimeve dhe energjisë elektrike”, u shpreh ministrja Balluku.

Nënstacioni elektrik i Rubikut është një nënstacion i integruar ku operojnë së bashku OST dhe OSHEE. Investimet në energjetikë, por jo vetëm, theksoi Balluku, do të vijojnë me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët kudo ku ata jetojnë.

“Unë jam shumë e kënaqur sa herë shikoj një vepër të përfunduar sepse është akoma dhe një hap më pranë qëllimit që kemi. Puna e integruar me OSHEE është shumë e rëndësishme. Nënstacionet e integruara sjellin eficencë të lartë dhe ulje të kostove padyshim”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Investimi në nënstacionin e Rubikut përfshiu ndërtimin e traktit të ri 110 kV për linjën Rubik-Reps dhe Rubik Ulëz. Vendosjen e dy seksioneve 110 kV, vendosjen e pajisjeve për sistemin e kontroll monitorimit si dhe vendosjen e pajisjeve për sistemin e telekomunikacionit. Gjithashtu janë realizuan edhe një sërë punimesh civile në ambientin përreth nënstacionit.