Kosova “Pa asociacionin Kosova nuk hyn në KiE”, Franca, Italia dhe Gjermania, përgjigje...

“Pa asociacionin Kosova nuk hyn në KiE”, Franca, Italia dhe Gjermania, përgjigje të prerë Kurtit

Përgjigja e Europës, për letrën me të cilën Kosova shpresoi të zhbllokonte rrugën drejt anëtarësimit në KiE, ka ardhur dhe nuk është pozitive.

Siç raportohet, Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez Emanuel Macron dhe kryeministrja italiane Gerogia Meloni i drejtohen Kurtit me një përgjigje të prerë përmes një letre, ku thonë se kërkesa nuk do pranohet nëse nuk do të ketë asociacionin.

Letra, ekzistencën e të cilës A2 e ka konfirmuar përmes burimeve të saj, thekson se ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar drejt themelimit të asociacionit, aplikimi i Kosovës në KiE nuk do të marrë mbështetje të mjaftueshme nga shtetet anëtare.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht “propozim zotërinjsh”.

Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë.

“Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”, thuhet mes të tjerash.