Unai Emery rrezikon të humbasë punën e tij si trajner i Arsenalit nëse ai nuk arrin të sigurojë pjesëmarrjen në Champions League, pasi ka shpenzuar plot 152 milionë paundë gjatë merkatos së verës për ta përforcuar skuadrën me lojtarë cilësorë.
Arsenali po garon edhe një herë në nivelin e dytë të kompeticioneve europiane (Europa League) me klubin dhe tifozët që dëshirojnë të rikthehen sa më parë në Champions.
“Topçinjtë” aktualisht renditen në vendin e tretë në Premier League, pozicion që do të ishte i mjaftueshëm për ta siguruar këtë objektiv, por Raul Sanllehi, drejtues i lartë i Arsenalit, ka paralajmëruar se moskualifikimi i mundshëm në Champions do të ishte dështim.
“Ne i thamë Unait që e humbëm kualifikimin për në Champions vitin e kaluar, por këtë sezon, me një skuadër më të fortë, presim që ta arrish”, deklaroi Sanllehi.
Këtë deklaratë, Sanllehi e bëri në një forum me tifozët e Arsenalit. Temë diskutimi ishte edhe çështja “Ozil”, me turko-gjermanin që nuk po luan më, edhe pse është më i paguari në skuadër me 350 000 paundë në javë.
“Politika e Unai Emery ka qenë gjithmonë e tillë: do të luajë ai që punon më shumë në stërvitje”, theksoi drejtuesi i lartë i Arsenalit.
Gjatë verës, drejtuesit e Arsenalit kanë qenë shumë aktivë në merkato, duke bërë shpenzime të mëdha. Ata thyen rekordin e transferimit të klubit për të sjellë në “Emirates” Nicolas Pepe nga Lille për 72 milionë paundë. Nga marrëveshja me Real Madridin për Ceballos u shpenzuan 15 milionë të tjera, ndërsa 25 milionë shkuan në arkat e Celtic për Keltan Tierney, pa harruar edhe 7 milionë paundë që “Topçinjtë” i paguan Chelsea-t për David Luiz. William Saliba (27 milionë) dhe Gabriel Martinelli (6 milionë) janë të tjerë futbollistë për të cilët londinezët kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme.