Pa grintë dhe i zëvendësuar. Është kjo analiza e përgjithshme mbi paraqitjen e Lautaro Martinez në mbrëmjen që pa Interin të eliminohej në “San Paolo” ndaj Napolit, në Kupën e Italisë.
“Gazzetta dello Sport”, megjithatë, vendosmërinë dhe agresivitetin e munguar te “El Toro” ia faturon mendimeve të pashmangshme në merkato dhe dëshira e argjentinasit për të përqafuar Messi & Co te Barcelona.
Jo vetëm kaq por edhe fakti se sipas medieve iberike, madje, sulmuesi zikaltër ka rënë dakord edhe mbi rrogën që do të përfitojë në “Camp Nou”.
Sigurisht, ka edhe justifikimet e rastit, pasi Lautaro është ende 22 vjeç dhe në vitin e tij të dytë në Europë, ndaj nuk i ka shpatullat aq të gjëra sa për të mbajtur presionin dhe përgjegjësinë.
Por, ajo që ka zhgënjyer trajnerin Conte, sipas “Gazzetta dello Sport”, është fakti se në rinisjen e sezonit pas 95 ditësh pushim, Lautaro nuk duket aspak si ai lojtar që u shfaq deri në mars.
Tani ideja është që trajneri dhe drejtuesit të flasin me sulmuesin dhe t’i bëjnë me dije se, çfarëdo që të ndodhë në merkato, ky sezon duhet mbyllur në mënyrën më të mirë dhe duke dhënë gjithçka në fushë.