Nga Edlira Gjoni
Efektet kaskadë të lajmeve të pavërteta në mediat tradicionale
Lufta për të frenuar dhe kontrolluar lajmet e rreme është globale. Dezinformimi dhe mungesa e informacionit të pavarur, po ashtu. Por ka edhe një aspekt tjetër që po cenon rendë besimin e medias te publiku: Mungesa e verifikimit të informacionit jo vetëm nga portalet, por në disa raste, edhe nga mediat e mëdha. Si? Vitet e fundit, vihet re se media rend pas faqeve online të politikanëve, duke i trajtuar ato si burim idesh apo informacioni. Tekste që shkruhen në formën e statusit personal prej politikanëve, shndërrohen menjëherë në lajm, shpërndahen nga dhjetëra faqe të tjera, e përpara se të verifikohen, shkaktojnë efekte të paparashikuara në publik. Pse ndodh kjo? Dhe si është e mundur që mediat tradicionale bien pre e publikimit të lajmeve të paverifikuara?
Në këtë artikull nuk do sjellim në vëmendje portalet, të cilat kërkojnë studim të mëvetshëm për pasojat që sjellin tek klikuesit e tyre, por median tradicionale. Rasti i mediumeve të regjistruar e me shtrirje të gjerë, nuk mund të jetë i kapërcyeshëm aq lehtë sa portalet pothuajse anonimë. Efektet e zgjedhjeve redaksionale, me reporter, redaktor e kryeredaktor në kokë, kanë të tjera përgjegjësi dhe efektet janë të pafalshme për një media të tillë.
Të shohim disa shembuj: Çfarë efekti pati lajmi i rremë për tërmetin në Shtator të vitit 2019, botuar fillimisht në një media online, e pastaj, në formën e lajmit për lajmin, edhe në mediat kombëtare? Mijëra qytetarë e kaluan natën jashtë dhe nuk i besonin dot më as autoriteteve, as mediave tradicionale, që bënin apel për kthim në shtëpi, duke i siguruar se lajmi ishte i pavërtetë. Por pa dobi!
Po dhënia e hapësirës televizive në një media kombëtare për deklarata të rreme mbi vaksinimin gjatë të cilëve njerëzve u futkan mikroçip në trup, e që vaksinat do zhdukin pleqtë e do i lënë çiftet pa fëmijë? Sipas Faktoje.al, ky lloj dezinrofmimi dhe mungesa e verifikimit të fakteve, pati pasoja të drejtpërdrejta në uljen drastike të besueshmërisë te vaksinimi, duke e çuar Shqipërinë në vendet me numrin më të lartë të atyre që e refuzonin atë, edhe pse falas.
Problematika e lajmeve të rreme në vend është pjesë e krizës globale që ka sjellë dezinformimi, nevoja e mediave online për të dhënë lajme të shpejta e të klikueshme. Kjo nevojë për audiencë të lartë në epokën e shpejtësisë së lajmit po aq sa shpejtësia e internetit, ka bërë që gazetaria të mos i kushtojë më vëmendjen e duhur një prej pikave më thelbësore të ekzistencës së vet: verifikimit të informacionit.
Në jo pak raste, viktimë e kësaj praktike kanë rënë edhe politikanët, teksa kanë shpërndarë në faqet e tyre pamje me shpjegim të gabuar si rasti i tankeve në pandemi supozuar në Spanjë apo i ushtrisë së Kosovës duke ardhur për ndihmë pas tërmetit në Shqipëri. Efekte ka edhe në tematika më të lehta, por masivisht të ndjekura, si sporti apo muzika, kur janë shpërndarë postime nga faqe që kanë rezultuar jo-zyrtare për finalen e Conference League, apo edhe largimin nga jeta të këngëtarëve të ndryshëm.
A duhet të shqetësohemi për efektet e këtyre lajmeve tek publiku? Cilat janë ato?
Pasojat e lajmeve të paverifikuara
Analizat për lajmet e rreme dhe dezinformimin kanë filluar të ravijëzohen në vend dhe ka jo pak përpjekje për të apeluar e demonstruar shqiptarëve se si të dallojnë lajmet e rreme dhe si të distancohen prej tyre, të paktën duke mos i shpërndarë. Por përtej këtyre veprimeve legjitime për frenimin e fenomenit, po vërtetohen efektet negative që kanë lajmet e rreme, mungesa e verifikimit të burimit apo edhe vërtetësia e gjithë lajmit tek audienca, që janë disa:
- Humbja e besimit në media
Pas dhënies së njëpasnjëshme të lajmeve duke cituar rrjetet sociale të politikanëve, apo me transmetimin dhe botimin e lajmeve që më pas rezultojnë të pavërteta, media i ka shkaktuar vetes dëmin më të madh: humbjen e besimit nga publiku, për të tretin vit radhazi, e duke e pasur prirjen edhe për ulje të mëtejshme. Dhe një media që ka humbur besimin, humbet edhe legjitimitetin për të qenë faktor.
- Apati në pjesëmarrjen e jetës publike
A kanë lidhje lajmet e rreme me aktivizimin qytetar? Studimet thonë se po, e madje analizojnë se algoritmet e frikshme të lajmeve të rreme e bëjnë qytetarin konfuz, apatik dhe pasiv, sepse fillon të kërkojë kuptim, logjikë, besim e motivim për të bërë diçka rreth diçkaje që rezulton e rremë. Kjo shumatore faktorësh i bën ata të heqin dorë nga ideja se mendimi apo veprimi i tyre vlen, duke kaluar kështu në qytetarë pasivë dhe shpesh, në gjendje limboje sa i përket aktivizimit minimal qytetar. Në vendet ku lajmet e rreme mbizotërojnë, qytetarët janë më pasivë e më të pashpresë në mendimin se qenia apo veprimi i tyre mund të ketë ndonjë rol, sado të vogël. Në Shqipëri kjo manifestohet në pjesëmarrjen shumë të ulët qytetare jo vetëm në protesta apolitike, por edhe në mungesën e iniciativës, kuriozitetit dhe besimit për të marrë pjesë në procese reale konsultimi publik, angazhim civil, grupime innfluence apo klube të njohura ndikuese akademike, sociale, tematike apo ideologjike, siç ka në vendet me demokraci më të shëndetshme.
- Folezë për teori konspirative dhe gjuhë urrejtjeje
Edhe pse asnjë verifikim apo informacion i saktë nuk shpërndahej në foton e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në SHBA në Korrik 2022, mediat tradicionale nxituan të merrnin të gatshëm copëza lajmesh e fotosh të prera nga takimi, duke kornizuar deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, si tradhtare të lartë të partisë së saj. Përtej gjuhës së ulët e mungesës së theksuar të standardeve minimale të raportimit, mediat lejuan që platformat e tyre online të shndërroheshin në shesh beteje ku kryqëzohej elektronikisht deputetja, me gjuhë urrejtje, shpifje dhe negativizëm të papranueshëm për këtë kategori medie. Por më keq se aq, këto platforma lejuan nisjen apo thellimin e teorive absurde konspirative për arsyet e vajtjes, mbështetjen ose jo nga palë të caktuara dhe puçet e brendshme që mund t’i bëhen opozitës apo qeverisë.
Situatë e ngjashme ishte edhe me shpërthimin grotesk të teorive konspirative për emrin e presidentit të ri, në pranverën e këtij viti, ku u shënuan edhe ditë më 6 emisione paralele në “prime-time” në televizionet e mëdha. Në to shpesh diskutohej me zë të lartë e logjikë të ulët e gjitha saga e të shpallurve për president.
Problematika e shndërrimit të faqeve online në shesh beteje ku i bëhet “gjyq popullor” çdokujt që është në lajm, ka pasoja të rënda për mënyrën si konsumatorët e përtypin dhe përdorin median. Nga aty lindin jo vetëm radikalizime, por edhe trauma të ashpra për shoqëritë ku mungesa e verifikimit çon shumë shpejt në urrejtje e më pas, në apati. Në rastet më fatekeqe, pasoja është që kjo gjuhë mund të çojë në urrejtje dhe veprime ekxtreme edhe në jetën e vërtetë nga përdoruesit e këtyre lajmeve e reagimeve mbushur me urrejtje e pavërtetësi.
- Zhvlerësim të autoriteteve
Çështja e pandemisë dhe vaksinimit kundër virusit Covid 19 është rasti tipik global i luftës mes lajmeve të vërteta e atyre të rreme. Pasi teoritë kundër vaksinimit filluan të shpërndahen me shpejtësinë e dritës, pasojën e parë të rëndë e vuajti media. Audienca iu rikthye edhe një here medias tradicionale, në kërkim të së vërtetës, edhe pse të ngadaltë. Kur situata u zgjat dhe në dukje kishte mungesë qartësie informative, publiku humbi besimin edhe tek autoritetet botërore të shëndetësisë. E njëjta kaskadë rënie besimi ishte edhe për arsyet apo ndodhitë reale në Ukrainë, duke vënë kështu në dyshim jo vetëm vërtetësitë e lajmeve, por edhe aftësitë e vetë ekzistencën e autoriteteve për të ndryshuar situatën në secilin prej rasteve të marra.
Seria e lajmeve ku autoritetet kornizohen si të paafta, të papërgatitura e të panevojshme, çon në apati edhe më të thellë të shoqërisë dhe më pas, në humbje të balancave e kodeve të jetesës apo detyrimeve të përbashkëta. Kur vihet në dyshim autoriteti dhe vërtetësia e institucioneve ndërkombëtare edhe në çështje si ato të shëndetit, do të thotë se problemet janë më të thella nga ç‘mund t’i mendojmë. Në Shqipëri, zhvlerësimi i autoritetit të institucioneve manifestohet me lajmet dhe emisionet fast-food që shpjegojnë gjithçka, që nga vaksinat, deri tek numri i arkivoleve, duke i dhënë zë e hapësirë shumë personave, por jo mjaftueshëm durim, shpjegim e kohë autoriteteve.
- Për një mungesë verifikimi, shoqëria bie në koma
Seria e gjatë e studimeve për lajmet që janë të paverifikuara apo tërësisht të rreme tregon se ato çojnë në normalizim të apatisë, mungesës së tolerancës, diskriminimit, ndjesisë së ankesesës së pandalshme, shpërthimin e ndjenjave të bezdisë, urrejtjes dhe ndryshimit negativ në sjellje. Pasojë dhe kontribuuese në këtë kuptim është edhe narrativa e përsëritur “Shqipëria nuk bëhet”, që mbështet shpesh në histori e perceptime personale, përdorur për përgjithësime të pasakta dhe deformim të psikikes sociale që është ndikuar fort prej vitesh nga kjo narrativë.
Bashkë më të, ikën edhe besimi se fjala, veprimi apo madje, edhe vota, mund të kenë ndonjë rëndësi. E një shoqëri që ka humbur besimin edhe tek vota e vet, edhe te media, politika e te vetë ajo si shoqëri, atëherë nuk mund të shprehet, as të ndryshojë, as të ecë përpara në demokraci.
Nxitimi për të botuar lajme të pa verifikuara kultivon kështu një ndjenjë te thellë frike, polarizon shoqërinë, ndjell urrejtje dhe prish balancat e kohezionit social. Njerëzit humbasin besimin për njëri-tjetrin, për vendin, për të ardhmen e tyre. Rritet niveli i paranojës dhe ngrihen edhe më lart muret e mos-komunikimit të drejtpërdrejtë. Nuk preferohen më as e-mailet, as telefonatat, as takimet ballë për ballë, por vetëm mesazhet me aplikacione, që kanë zëvendësuar praninë dhe besimin tek të tjerët, të lajmi, te media, te e vërteta dhe mundësia për ta kuptuar apo përballuar atë.
Kur mungesa e verifikimit të lajmit dhe instrumentalizimi i medias depërton edhe në median tradicionale, atëherë duhet kuptuar se ka ardhur koha për një reflektim të fortë në redaksitë nga ku edhe buron, edhe shter besimi.
Mediat e mëdha ndërkombëtare kanë filluar të rregullojnë veten e të edukojnë edhe ndjekësit e tyre si të kuptojnë lajmin e verifikuar, e madje, edhe si mund të ndihmojnë në shpërndarjen apo frenimin e tij.
A e bën dot këtë hap media tradicionale shqiptare? Që të luajë rolin e saj informues e ndikues përmes të vërtetës, po. Është koha e duhur që ta bëjë!
Financuar nga Bashkimi European
Projekti rajonal ‘PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas për Median, Shkolla e Gazetarisë e Novi Sad, Insittuti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.