Pabarazitë e mëdha në normat e vaksinimit janë një shqetësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ku ekspertët pretendojnë se më e keqja e pandemisë mund të përfundonte këtë vit nëse nuk do të ishin këto pabarazi.
“Ne nuk do t’i japim fund virusit këtë vit. Mund të mos i japim fund kurrë virusit. Këto viruse pandemike përfundojnë duke u bërë pjesë e ekosistemit. Ajo që mund t’i japim fund është urgjenca e shëndetit publik”, u shpreh Michael Ryan, drejtor ekzekutiv në OBSH.
Varianti Omicron duket se ende nuk po largohet nga Europa.
Franca regjistroi pothuajse gjysmë milioni raste të reja ditore të martën, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë. Ndërkohë vdekjet nga koronavirusi në spital u rritën me 288.
Në reagim ndaj rritjeve të infeksioneve të reja në Rusi, autoritetet kanë reduktuar periudhën e izolimit të kërkuar për personat e infektuar me COVID-19 nga 14 në 7 ditë.
Në Rumani, numri i rasteve të reja është dyfishuar në 24 orët e fundit ndërsa vendi po përballet me valën e pestë të pandemisë. Është shteti i dytë më pak i vaksinuar në Bashkimin Evropian, me rreth 40 për qind të popullsisë të injektuar plotësisht.
Ndërsa Europa po nxit gjithnjë e më shumë për pasaportat e vaksinimit, Danimarka ka prezantuar një masë të re që lejon kompanitë të pushojnë nga puna punonjësit nëse refuzojnë të tregojnë një leje shëndetësore që vërteton se janë vaksinuar ose rezultojnë negativë ndaj COVID-19.