Shumica e personave të infektuar në Wuhan që prej fillimit të epidemisë së koronavirusit vazhdojnë të kenë probleme me mushkëritë tre muaj pasi kanë dalë nga spitali. Ky është përfundimi i një studimi të ri që ka nxjerrë në pah edhe faktin se 1 në 10 të shëruar nuk kishin më antitrupa pas tre muajsh.
Kërkimi u krye nga drejtuesi i terapisë intensive në spitalin Zhongnan, Peng Zhiyon. Sipas tij është shqetësues impakti afatgjatë që mund të ketë sëmundja.
Ata që u përfshinë në studim raportuan për mungesë energjie, 50% e tyre vuanin nga simptomat e depresionit, ndiheshin të larguar nga shoqëria dhe nuk mund t’i ktheheshin një jetese normale.
Peng e filloi kërkimin e tij me 107 pacientë të një moshe mesatare 59 vjeç. Ata kishin kaluar në intubim në fazat e hershme të pandemisë. 90% e pacientëve vazhdonin të kishin dëmtime në mushkëri, ndërsa 10 përqind nuk kishte më antitrupa ndaj Covid-19.
Drejtuesi i kërkimit shkencor ka marrë pjesë edhe në trajtimin e pacientëve me Sars në 2003-shin dhe gripin e shpendëve në 2016-n.