Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka dhuruar 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, do të ndërtojë vetë banesa për ata që mbetën pa çati në kokë.
Si një ndërtues me eksperiencë në këtë fushë, Pacolli sugjeroi që në qytetin e Krujës, pallatet dhe shtëpitë e shembura të ndërtohen në pjesën e poshtme të qytetit, duke i dhënë hapësirë zonës turistike. Por në të njëjtën kohë duke i afruar banesat me shkollat, kopshtet e çerdhet.
“Aty ku ka pallate mirë është me zbrit poshtë, për të hapur hapësirë, se Kruja është qytet turistik. Vendosim dhe një fond ne dhe bëjmë një operacion që të dalë edhe qyteti i fituar. Rregullon kualitetin e jetës, më mirë në rrafsh ku krijohet një infrastrukturë tjetër, që ka afër shkollën e kopshtin”, tha Pacolli.
Në një takim me kryeministrin Edi Rama dhe me banorët e prekur nga tërmeti në qytetin e Krujës, Behgjet Pacolli tha se ka nisur nga puna për të bërë projektin e pallateve, ndërsa tha se nëse nuk krijohen pengesa, ata do të jenë gati për 3 muaj.
“Që nga projektimi deri tek çelësat sa zgjat?”, pyeti Rama, Pacollin.
“Nëse nuk ka pengesa në rastin më të mirë, një pallat, 45 banesa nga 80 metra katrorë, për 3 muaj duhet të kryhet“, tha ai.
Ky afat kohor i ka bërë përshtypje edhe kreut të qeverisë.
“Po i bëri për tre muaj po i bëjmë dhe një statujë aty afër Skënderbeut”, tha Rama.
Zv.kryeministri në detyrë i Kosovës paraprakisht tha se ka menduar që Thumana të rindërtohet në zonën ku janë shembur godinat, por kryeministri Rama ndërhyri duke thënë se asnjë nga banorët nuk duan të jetojnë më aty ku humbën të afërmit e tyre.