Padia e Sali Berishës ndaj kreut të diplomacisë amerikane është një nga çështjet më të komentuara të politikës së ditës në Shqipëri.
Por gjasat që të ndryshojë diçka në raportin e ish-kryeministrit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të pakta.
Eksperti amerikan i së drejtës ndërkombëtare Paul Williams, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Amerikan në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se “Sekretari i Shtetit Tony Blinken gëzon imunitet për veprimet zyrtare. Në Shtetet e Bashkuara, gjykatat nuk ndërhyjnë në politikën e jashtme. Nuk e di se çfarë do të thoshin gjykatat franceze, përveçse që kjo është një mosmarrëveshje midis një jo-shtetasi dhe një shteti të huaj, kështu që ata nuk do të kishin juridiksion” mbi një çështje të tillë, nënvizoi zoti Williams
Berisha shpjegoi se ai ka angazhuar një ndër avokatët e njohur francez Battonier Jean Yves Leborgne dhe se padia do të ngrihet para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike.
Në sistemin e drejtësisë franceze, Gjykata Korreksionale është thjesht një nga tre dhomat të cilat përbëjnë Gjykatën e Shkallës së parë. Si e tillë mbetet e paqartë se çfarë klauzolash do të mund të shfrytëzoheshin për të hapur një proces, ku asnjëra nga palët, as paditësi dhe as i padituri nuk janë shtetas francezë, dhe kur asnjë element i çështjes nuk lidhet me Francën.