Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas padisë në Gjykatën Kushtetuese që Partia Demokratike i bëri miratimit të kalimit të projektit për ndërtimin e Portit të Durrësit me procedurë të përshpejtuar në Parlament, të cilën opozita e quan një “mega-aferë korruptive”.
“Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!”, shkruan Rama në Twitter.
“Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed. Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…”.
PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër ligjit. “Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese, shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj”, tha pas dorëzimit të padisë, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.
“Një aferë e gatuar në fshehtësi jo thjesht me mungesën e transparencës, por e bërë pikërisht kështu sepse një grabitje e tillë e pasurisë publike, për interesa private, marrja e pronës qytetarëve jo thjesht të Durrësit, por e gjithë republikës së Shqipërisë, porti strategjik i Durrësit dhe dhënia për interesa përfitimi individësh privat, nën petkun e investitorëve strategjikë, por në fakt me kompani offshore që pas tyre qëndrojnë interesat e pushtetarëve”.
Bylykbashi tha se shpreson që Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë në nivelin e asaj që pritet prej saj nga opinioni publik dhe të bëjë detyrën e saj. “Që është zbatimi kushtetues, të mbrojë interesin publik dhe jo të jetë në mbrojtje të interesave privat të kryeministrit dhe individëve që qëndrojnë pas tij. Transformimi dhe degradimi, madje dhe degjenerimi i kësaj mënyre qeverisje nga një shtet i cili bazohet tek transparenca, te gara, te konkurrenca, shkuarja tek dhënia me koncensione individësh, kompanish pa marrë parasysh fare jo vetëm kërkesën e kushtetutës apo të ligjit shqiptar që të jenë të gjithë të barabartë para ligjit edhe përpara mundësive ekonomike, por edhe detyrimin e Shqipërisë në kuadrin e MSA-së, ta ketë këtë të hapur edhe për kompanitë europiane, këtë mund ta bëjë vetëm një individ i cili ka centralizuar të gjitha pushtetet në thyerje të të gjitha parimeve të ndarjes së pushteteve, Edi Rama”, tha Bylykbashi.