Padia që presidenti Ilir Meta bëri kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, do të shqyrtohet Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.
Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për të vazhduar hetimet, pasi Ardian Dvorani është zyrtarë i lartë. Do të jetë Struktura e Posaçme anti korrupsion që do të hetojë padinë e Presidentit Meta ndaj Dvoranit, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe përvetësim të titullit.
Presidenti Meta vendosi të padisë kreun e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë, pasi i konsideron veprimet e tij në rastin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
Kallëzimi u dorëzua fillimisht në tre prokurori, por Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda e deleguan tek ajo e Tiranës, pasi veprat penale për të cilat është kallëzuar Dvorani ishin në kompetencë të Prokurorisë së kryeqytetit dhe nuk mund të hetoheshin prej tyre.
Por me krijimin e SPAK, të gjitha veprat penale që kryhen nga zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë do të hetohen nga kjo strukturë.