Janë mbi 30 mijë punonjës që kanë marrë pagën 40 mijë lekë si ndihmë për shkak të pandemisë. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili thotë se bëhet fjalë për punonjës që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se janë rreh 25 mijë punëtorë të tjerë që duhet të marrin këtë rrogë. Në këtë mënyrë u bëri një thirrje të gjithë punëdhënëseve që nuk kanë aplikuar ende ta kryejnë këtë procedurë deri në datën 5 Qershor.
“Lajm i mirë: Ka kaluar 30 mijëshin numri i pagave 40 mijë lek të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve. Faleminderit punëdhënësve që reaguan pozitivisht ndaj apelit tonë! Sipas llogarive të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve janë edhe afro 25 mijë të tjerë që duhet të paguajmë, prandaj u kujtoj punëdhënësve që s’kanë aplikuar ende se afati për ta skadon të premten, 5 Qershor, në mesnatë”, shkruan Rama.
Kryeministri paralajmëron gjobë për këtë kategori punëdhënësish. Gjithashtu sqaron punonjësit se nuk do të qëndrojnë pa e marrë 40 mijë lekëshin që u takon.
“Kush nuk do të bëjë aplikimin për punonjësit e vet do të paguajë gjobë, ndërsa të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm! sepse ne do t’u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme”, shkruan Rama.
Sipas qeverisë, numri total i personave që përfitojnë tre pagat e luftës apo pagën 40 mijë lekë shkon në rreth 250 mijë persona. Për këtë, Edi Rama thotë se do të bëjë transparencë, pasi në fund do të publikohet lista e pagesave për të gjithë këta persona.
“Në fund e gjithë lista e pagesave për këtë thuajse çerek milionë motra e vëllezër, do të jetë publike, që mos kemi llafe kur i thonë fjalës – po edhe që askush, asnjë person i vetëm të mos mbetet pa marrë atë që i takon, nëse për çfarëdo arsye do të mbetet i papërfshirë”, tha Rama.