Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama bëri me dije se plani i mbështetjes financiare që u prezantua nga qeveria, për t’iu ardhur në ndihmë personave të prekur nga pandemia e koronavirusit, ka hyrë në fuqi.
Kreu i qeverisë deklaroi se janë identifikuar mbi 60 mijë persona që përfitojnë të ashtuquajturën “pagë lufte” nga mbyllja e bizneseve të vogla ku ata punonin. Ai i ftoi ata që të aplikojnë menjëherë për të marrë këtë ndihmë në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka filluar marrjen e aplikimeve online nga bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të luftës dhe që do të marrin pagë lufte. Kjo pagë lufte do të derdhet në llogarite direkt dhe kemi marrë garancitë nga bankat që nuk do të mbahet asnjë komision. Kushdo që është në listën e 60 mijë e 421 individëve që janë identifikuar si përfitues është i lutur të aplikojë në faqen e Drejtorisë së Tatimeve. Përfitues do të jenë dhe ata që punojnë në shkolla, kopshte private apo ata që punojnë me transport udhëtarësh, gjithnjë nëse në këto biznese xhiroja nuk i kalon 140 mijë dollarët në vit”, tha Edi Rama.
Më tej, Rama shtoi se tashmë janë derdhur paratë e pensioneve dhe se do të ketë një dyfishim të ndihmës ekonomike për personat më në nevojë përballë kësaj pandemie.
“Pensionistëve iu kemi derdhur në llogarinë e përgjithshme të pensioneve 21 milionë dollarë dhe pensioni i tyre do të rritet që këtë muaj përmes indeksimit që natyrisht nuk është shumë, por është më shumë nga sa ishte. Barnat e rimbursueshme i kanë marrë deri tani ted era 26 mijë e 500 pensionistë. Është gati për lëvrim dhe dyfishi i ndihmës ekonomike për familjet që jetojnë përmes saj. Plani i shpallur i mbështetjes financiare ka hyrë në zbatim dhe të gjithë do të marrin në dorë paratë e premtuara”, përfundoi kryeministri Rama.