Duke marrë shkas nga publikimi i pagave të qytetarëve, Kryeministri Edi Rama gjeti mundësinë të paralajmëronte ato kompani dhe biznesmenë që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve, të bëjnë deklarime të sakta.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama u shpreh se 20 Janari është afati i fundit për këto kompani që nuk deklarojnë të plota pagat e punonjësve që të bëjnë deklarimet e reja, në të kundërt ndaj tyre do të fillojnë hetimet për evazion fiskal dhe hetim pasuror.
“Me pagat ka ndodhur së fundmi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe shqetësuese, por pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon prokurorisë, prokuroria po heton në mënyrë intensive. Unë uroj dhe kam arsye të besoj që së shpejti do të kemi rezultate dhe kush e ka bërë do përgjigjet para ligjit. Kjo ngjarje mund të quhet edhe jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e gjithë shqiptarëve dhe askush nuk do mund të thotë që po sulmojmë askënd, duke filluar nga mediat, duke filluar nga pagat tuaja. Askush nuk do të na thotë dot që po sulmojmë mediat duke kërkuar prej tyre dhe atyre kompanive që japin paga fiktive, të vetërregullojnë deklarimet.
Drejtoria e Tatimeve ka përgatitur dhe ka nisur një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime shqetësuese të cilat rezultojnë në mospërputhje me kapacitet e tyre duke ju kërkuar që të vetërregullohen me deklarimet e reja deri në 20 Janar, sepse në 20 Janar është data e deklarimeve të reja. Në rast mosrregullimi do të ketë hetim të thelluar për evazion, evazioni dënohet me burg. Kemi përgatitur një plan përpara se sa të ndodhte kjo, ne nuk mund të vazhdojmë të presim gradualitet për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin në të bardhë atë që ju takon, praktikisht duke shitur pa vullnetin e tyre të ardhmen. Sepse tek pagat minimale të deklaruara që shoqërohen me para cash goditet e ardhmja e individit pasi sigurimet për pensionin janë shumë më të ulëta, goditen të ardhurat e skemës së pensioneve dhe bllokohet mundësia për të rritur pensionet. Procesi do të ndërtohet me hetim pasuror të të gjithë atyre kompanive dhe biznesmenëve që deklarojnë për punonjësit paga mininale ose paga nën atë që paguhen”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.