Matthijs de Ligt është një nga mbrojtësit më të fortë në botë, dhe padyshim nga më të paguarit. Holandezi 21-vjeçar merr nga Juventusi rreth 12 milionë euro në vit, 8 milionë bazë plus 4 bonus, pa folur për sponsorët e shumtë.
Por djaloshi shtatlartë ka një karakteristikë që e dallon nga kolegë te tij, edhe nga ata të paguar shumë më pak. Bëhet fjalë për këpucët e tij të futbollit, që mesa duket ai nuk ndërron praktikisht kurrë.
Dhe nuk po flasim për modelin, por pikërisht për një palë që ai ka filluar të veshë në pranverën e vitit 2019, dhe që nga ai moment pothuajse nuk i ka braktisur më, në stërvitje dhe në ndeshje zyrtare.
Futbollistët e dinë që një palë e përdorur është më e rehatshme nga momenti që këpucët marrin formën e këmbës, por de Ligt e ka çuar në ekstrem përdorimin e tyre, dhe arsyeja e vërtetë mund të shkojë më shumë drejt besëtytnisë sesa komfortit në fushën e blertë. Në fakt, pasi filloi përdorimin e këpucëve, ai filloi ngjitjen në karrierë, të kulmuar në gjysmëfinalen e Champions League, ku si ish-kapiten i Ajaksit mundi Real Madridin si dhe ekipin e tanishëm, Juventusin.
Këpucët e tij janë aq të përdorura sa futbollisti i ka qepur disa herë, dhe “pullat” janë tashmë të dukshme gjatë ndeshjeve.
Modeli që përdor, Adidas X 18.1, tashmë ka dalë jashtë tregut, dhe pavarësisht se kompania gjermane i ka ofruar holandezit një sasi të atij modeli, futbollisti ka refuzuar. Ai dëshiron të luajë vetëm me atë palë. Deri sa të shkatërrohen në fushë.