Rivalët në Lindjen e Mesme, Irani dhe Arabia Saudite, hodhën një hap tjetër të rëndësishëm drejt pajtimit të enjten, duke rivendosur zyrtarisht lidhjet diplomatike pas një ndërprerjeje shtatëvjeçare, duke përmendur nevojën për stabilitet rajonal dhe duke rënë dakord për bashkëpunim ekonomik.
Marrëveshja u arrit në Pekin, gjatë një takimi midis ministrave të jashtëm iranian dhe saudit, një muaj pasi Kina ndërmjetësoi një marrëveshje fillestare pajtimi midis dy fuqive rajonale.
Marrëveshja zvogëlon edhe më tej mundësinë e konfliktit të armatosur të drejtpërdrejtë midis tyre, si dhe të konflikteve të tjera në rajon mes vendeve që mbështeten nga njeri, apo tjetri rival. Marrëveshja mund të forcojë përpjekjet e diplomatëve për t’i dhënë fund luftës së gjatë në Jemen, një konflikt në të cilin Irani dhe Arabia Saudite janë të përfshira thellë.
Njoftimi i së enjtes përfaqëson gjithashtu një fitore tjetër diplomatike për Kinën pasi shtetet arabe të Gjirit vlerësojnë se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen ngadalë nga rajoni.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian shpalosi detajet e marrëveshjes të së enjtes në një publikim në rrjetin social, “Twitter”, pas bisedimeve me homologun e tij saudit, Princin Faisal bin Farhan Al Saud.
Ministri shkroi se e enjtja shënoi fillimin e “marrëdhënieve zyrtare diplomatike… bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, rihapjen e ambasadave dhe konsullatave të përgjithshme dhe vë theksin në stabilitetin, sigurinë e qëndrueshme dhe zhvillimin e rajonit”.
Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA, tha se përveç rihapjes së ambasadave në të dy kryeqytetet, misionet diplomatike do të fillojnë të funksionojnë në dy qytete të tjera të mëdha – Mashhad në Iran dhe Xhedah në Arabinë Saudite. Raporti thotë se të dyja palët ranë dakord gjithashtu të studiojnë mundësinë e rifillimit të fluturimeve dhe vizitave zyrtare dhe private midis dy kombeve dhe gjetjes së mënyrës se si të lehtësojnë procesin e vizave për banorët e tyre.
Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi muajin e kaluar se të dyja palët kishin rënë dakord të rihapnin ambasadat dhe misionet e tyre brenda dy muajsh.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning tha se të dy ministrat e jashtëm nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe shprehën vendosmërinë e tyre për të përmirësuar lidhjet në përputhje me bisedimet e tyre në Pekin muajin e kaluar.
Agjencia shtetërore saudite e shtypit publikoi një lajm të shkurtër mbi takimin, duke thënë se “u zhvilluan diskutime mbi marrëdhëniet e përbashkëta dhe mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin në shumë fusha”, me të dyja palët që synojnë “të rrisin sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e dy vendeve dhe popujve”.
Bisedimet e së enjtes në Pekin shënuan takimin e parë zyrtar të diplomatëve të lartë nga të dy vendet që nga viti 2016, kur Arabia Saudite prishi lidhjet me Iranin pasi protestuesit pushtuan zyrat diplomatike saudite atje. Protestat në Iran ishin nxitur pasi disa ditë më parë Arabia Saudite kishte ekzekutuar një klerik të shquar shiit krahas 46 personave të tjerë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning tha se Kina është e gatshme të mbështesë të dyja palët në nxitjen e marrëdhënieve të mira, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë vendet e Lindjes së Mesme të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.
“Taktikat hegjemoniste koloniale të nxitjes së kontradiktave, krijimit të izolimit dhe ndarjes duhet të refuzohen nga njerëzit në mbarë botën,” tha ajo.
Ndërsa rihapja e ambasadave do të shënonte një hap të madh përpara, shtrirja e afrimit mund të varet nga përpjekjet për paqe në Jemen, ku Arabia Saudite ka qenë në luftë me rebelët Houthi të mbështetur nga Irani që nga viti 2015, pas kapjes së kryeqytetit dhe një pjese të madhe të Jemenit verior nga rebelët.
Arabia Saudite gjithashtu ka dyshime të mëdha për programin bërthamor të Iranit, i cili ka avancuar ndjeshëm, që kur SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja e vitit 2015 për të frenuar aktivitetet atomike të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
“Nga diskutimet e mia me sauditët unë e di që ata do të vëzhgojnë me kujdes hapësirën e Jemenit”, tha Tim Lenderking, i dërguari i administratës së presidentit Biden për Jemenin, gjatë një debati të një organizate jo-qeveritare në Uashington në fillim të kësaj jave.
“Nëse iranianët duan të tregojnë se ata me të vërtetë po ndryshojnë qëndrim sa i përket konfliktit në Jemen, atëherë nuk do të ketë më kontrabandë armësh për rebelët Houthi në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së” tha ai duke vënë në dukje edhe përfshirjen e dyshuar iraniane në kontrabandën e narkotikëve.
Zoti Lenderking përmendi mbështetjen e Iranit për një armëpushim të vazhdueshëm atje si një shenjë pozitive të kohëve të fundit dhe i bëri thirrje Iranit të mbështesë përpjekjet politike për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.