Sot në Kuvend do të miratohet e ashtuquajtura “paketa antishpifje” e cila është kundërshtuar fort nga gazetarët, aktivistët, analistët por edhe organizmat ndërkombëtare. Ndërkohë, gazetarë të ndryshëm, aktivistë dhe analistë po zhvillojnë një protestë kundër këtij projekt ligji.
Pjesëmarrësit në këtë protestë kanë paraqitur kërkesat e tyre për hedhjen poshtë të paketës antishpifje të cilat janë:
Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;
Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi.
Gazetarët dhe aktivistët në protestë, pretendojnë se paketa anti shpifje nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.
Ndërkohë përpara parlamentit janë vendosur forcat policore dhe disa deputetë kanë hyrë brenda ambienteve.
Me paketën antishpifje, mediat elektronike do të mbyllen me urdhër të drejtpërdrejtë nga AMA nëse ky institucion gjykon se ka shkelje. Është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKPEP) që mbyll portalin pa vendim Gjykate nëse lajmi nuk fshihet brenda 60 minutave. Nga personi që cenohet përmes një shkrimi online deri në Gjykatën Administrative janë në mes dy institucione në varësi të AMA-s, Këshilli i Ankesave dhe Bordi. Mediat online detyrohen të botojnë përgënjeshtrimin, por ka edhe kufizime në rast se ankuesi nuk ka fakte.
Kjo paketë është kritikuar t nga Këshilli Europian dhe organizatat ndërkombëtare që e kanë vlerësuar këtë paketë si censurë të fjalës së lirë.