Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Parlament tha se gazetarët të cilët protestojnë kundër paketës anti-shpifje nuk e lexojnë dhe nuk u intereson që ta dinë se çfarë thotë kjo paketë.
Sipas analizës së bërë, Rama tha se janë tre qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes, ku 20 shtete e parashikojnë atë si vepër penale dhe e dënojnë me burg.
“Sipas një raporti të OSBE në 2017 në ¾ të shteteve anëtarë fyerja është vepër penale. Aktualisht, 20 shtete, mes tyre, Austria, Çekia, Danimarka, Finlanda, Greqia, Hungaria, Portugalia, Spanja, Suedia, Italia, Holanda parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale që dënohet me burg. 5 shtete nuk e parashikojnë si vepër penale, por e rregullojnë me pasojat e tyre dhe Anglia parashikon gjobën më të madhe që shkon në 200 mijë sterlina. Legjislacioni më i ashpër ndaj fyerjes dhe shpifjes është ai i Gjermanisë, Kodi Penal në këtë vend parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen dhe është vendi ku ka më pak shpifje dhe fyerje. Në SHBA, FBI ndërhyn pa veprim gjykate fare dhe mbyll me urdhër çdo lloj website që konsiderohet cenuese në shumë aspekte”, tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë solli dhe disa raste lajmesh të rreme dhe shpifjesh edhe në ditët e para pas tërmetit që sipas tij shkaktuan panik tek njerëzit dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për to. Sipas tij nëse këto raste lajmesh do të ndodhnin në Gjermani, autorët e tyre do të ishin ende duke paguar borxhet.
“Më 26 nëntor vdiq një njeri i pafajshëm, si rezultat i veprimtarisë së atyre njerëzve që janë jashtë parlamentit sepse dikush nxorri lajmin që spitali i Durrësit po shembet dhe dalja e këtij lajmi e ktheu vendin në një kaos me mjekë, infermierë dhe të sëmurë që donin të dilnin me shpejtësi nga dera e spitalit. Liria e shtypit e fjalës është dhe përgjegjësi dhe jo vetëm e drejtë. Po ata që janë atje, publikuan lajmin se qeveria fshihte 100 të vdekur në morgun e spitalit duke krijuar një situatë kaotike me familjarë që kishin humbur kontaktet dhe që u turrën te morgu. Po iu jap raste të freskëta, nuk po iu flas për veten, familjen, vajzën, djalin, prindërit e Ditmir Bushatit, as për familjarët e Taulant Ballës. Po flas për ata, që ndryshe nga ne, nuk e kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre”, shtoi Rama.
Kreu e qeverisë gjithashtu shtoi se për këtë paketë është konsultuar një vit rresht me BE dhe KE dhe iu ka thënë drejtuesve të këtyre institucioneve të larta evropiane se janë nën presionin e organizatave të rreme dhe se nuk e kanë lexuar ligjin.