Kryesore Paketa e rezistencës, Rama: Nuk jemi për të ulur naftën për protestuesit...

Paketa e rezistencës, Rama: Nuk jemi për të ulur naftën për protestuesit me X5

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me punonjësit e një biznesi, ku prezantoi edhe njëherë për ta paketën e rezistencës sociale dhe ndërhyrjet e qeverisë për të reduktuar efektet e krizës ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë u shpreh se kjo paketë iu vjen njerëzve në nevojë dhe shtoi se nuk mund të ulet nafta për protestat e organizuara nga ata që lëvizin me fuoristrada.

“Paketën e rezistencës ku parashikon futjen në fuqi menjëherë të heqjes së taksës për pagën deri 40 mijë lekë. Kjo do të thotë që keni dhe një të ardhur plus. Është rreth 7%. Ata që janë me pagë 40-50 mijë lekë do të paguajnë gjysmën e taksës. Paga e prillit do të reflektojë rritjen e pagës minimale në 32 mijë lekë. Me këto masa sot kemi 56% të të punësuarve në Shqipëri që nuk paguajnë asnjë taksë përveç kontributeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ato i kemi më të ulëtat në rajon. Gati gjysma e të punësuarve në Shqipëri janë me një pagë më të lartë se kaq.

Goditja e krizës mbi faturën e energjisë është 5-7 herë më e madhe. Kur të shkoni në shtëpi, faturën e energjisë shumëzojeni me 7. Aq është çmimi i energjisë sot në tregje. Gjëja që kemi konsideruar më jetike për kohezionin sociale, për të mos lejuar që kategoritë më të prekshme mos goditen është furnizmi me energji, në kushtet e një anormaliteti absolut. Një kilovat orë në shtëpinë tuaj paguhet 9.1 lekë dhe vjen 67 lekë. Në paketën e djeshme kemi future 200 milionë dollarë për të paguar pjesën më të madhe të faturës për 726 mijë familje në Shqipëri. Më vjen mirë që kemi mundësi sot që t’i përgjigjemi asaj pjese të shoqërisë që duhet të mbrohet. Do të kalojmë 500 mijë njerëz që përfitojnë nga mbështetja. Këta njerëz do të marrin 3000 lekë që kompenson rritjen e çmimeve të shportës. Mbi 400 mijë pensionistë do të marrin këtë bonus nga paketa e rezistencës. Pastaj kemi familjet në ndihmë ekonomike, invalidët. Nuk jemi këtu për të ulur naftën për të mbushur fuoristradat X5”, tha kryeministri.