Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi ka folur në Euronews Albania për shqetësimet e bizneseve, të cilat kanë mbyllur aktivitetin për shkak të masave kufizuese të qeverisë për të frenuar përhapjen e COVID-19. Ai tha se shqetësimet e biznesit janë të shumta, ndërsa qeveria shtoi Shalsi, po bën llogari të ndryshme për t’iu ardhur në ndihmë kompanive dhe atyre bizneseve, që realisht kanë ngrirë aktivitetin si rezultat i masave kufizuese.
“Duhet thënë se kemi marrë një numër të konsiderueshëm ankesash nga biznesi dhe shoqatat. Kemi organizuar një numër të konsiderueshëm kontaktesh me sipërmarrës të sektorëve për të parë kërkesat e përbashkëta që kanë dhe për të kuptuar më mirë problematikat e tyre. Na duhet paralelisht të shohim nevojat bazike. E dyta, çfarë po ndodh në vendet e rajonit dhe e treta, masat që po marrin vendet e tjera në lidhje me ekonominë. Kjo është një nga krizat më të mëdha që ka ndeshur bota, pas depresionit të madh. Masat tona fillimisht ishin masa të karakterit monetar, siç ishte shtyrja e kredive me tre muaj. Ka kërkesa të përbashkëta dhe ka kërkesa shumë të ndryshme”, tha ai.
Pavarësisht shqetësimeve, ministri Eduard Shalsi, tha se qeveria nuk mund të kënaqë kërkesat e të gjitha kompanive. Ministri theksoi se problemi më i madh që kanë sot kompanitë është mungesa e likuiditetit financiar.
“Po ju them që në krye të herës, që është e pamundur që të kënaqim të gjithë kërkesat e biznesit në këtë periudhë. Nëse do t’i klasifikojmë kërkesat e biznesit, kanë të bëjnë me kërkesa fiskale të TVSH-së. Një pjesë tjetër ka të bëjë me tatimin e fitimit, kompensimin e pagave për disa sektorë, këtu kërkohet edhe pezullimi i kontributeve shëndetësore dhe shoqërore. Ka një diçka që i bashkon bizneset dhe ajo është pikërisht paaftësia e tyre dhe mungesa e likuiditeteve për të paguar punonjësit e tyre. Ky është një shqetësim i tyre, i shoqërisë dhe i yni më i madh për momentin”, tha Shalsi.
Qeveria ka njoftuar se shumë shpejt do të prezantojë një paketë të dytë mbështetëse për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë e prekura. I pyetur nga gazetarja e Euronews Albania, Bruna Çifligu se kur do të prezantohet kjo paketë e dytë mbështetëse, ministri Shalsi nuk dha një datë konkrete, por shtoi se qeveria po bën llogaritë e saj të ndryshme mbi këtë qasje. Ai u shpreh se me shumë gjasë paketa e dytë do të lançohet brenda javës.
“Duke analizuar skenarë të ndryshëm të ardhurash dhe shpenzimesh, duke parë edhe portofolin, edhe në këtë paketë të dytë po u japim theksin kompanive, të cilat me vendim të qeverisë u është mbyllur aktiviteti. Kemi të bëjmë me një situatë që varion dita-ditës. Duhet të jemi shumë të matur, që të ofrojmë një paketë që është e mundur për situatën ku jemi. Unë nuk do të zbuloj detaje për sa kohë, jemi duke kalkuluar në disa skenarë për shkak të variablave të panumërta që janë në lojë. Në këtë paketë, do të duhet të plotësojmë nevojat e punonjësve të kompanive, që për një arsye specifike mbetën pa aktivitet. Po shohim një arsye subvencionimi, por s’mund t’ju jap datë se kur është gati .Brenda këtyre ditëve do ta lançojmë. Na duhet të kalkulojmë, duke marrë parasysh kërkesat e biznesit dhe instrumentet që bota rreth nesh po aplikon dhe duke pasur parasysh edhe kontekstin shqiptar. Brenda javës do të kemi paketën e dytë. Paketa e dytë synon të shtensionojë kompanitë nga likuiditeti, dhe ato mund të ofrohen nga garanciA sovrane dhe nga paketat mbështetëse. Fatura jonë është që kërkohet një solidaritet, dhe mbi të gjitha, kërkohet mbështetje brenda mundësive, por t’i përgjigjemi kërkesave të tyre për likuiditet. Këtë zbrazëti duam ta plotësojmë me politikat tona. Situatë është e jashtëzakonshme dhe e paprecedentë. Nuk mund t’i plotësojmë të gjitha kërkesat”, tha ai./ Euronews Albania