Një ditë pasi njoftoi se qeveria po mbyll një paketë ndihme për qytetarët, Kryeministri Edi Rama është duke dhënë detaje përmes postimeve në faqen e tij zyrtare në Facebook se çfarë do të përmbajë ajo që e ka pagëzuar si “Pakoja e Madhe”. Më herët gjatë ditës, ai njoftoi se 695 mijë pensionistë do të përfitojnë nga 8 mijë lekë nga Pakoja e Madhe.
“695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000Lekë (të reja) secili nga Pakoja e Madhe, ku do të kenë pjesën e tyre 1 milionë shqiptarë, që do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja), për të zbutur impaktin e inflacionit të luftës deri në fund të këtij dimri të vështirë për mbarë Europën”, shkroi Rama.
Ndërkohë po Rama thotë se të njëjtën shifër, pra 8 mijë lekë, do ta përfitojë çdo person me aftësi të kufizuar. Kjo ndihmë sipas Ramës, do të lehtësojë impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit. Kreu i qeverisë bën me dije se edhe përgjatë vitit 2023 do të vijojë subvencionimi masiv i energjisë.
“8000 Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”, shkruan Rama.
8 mijë lekë shtesë do të ketë edhe për çdo familje me ndihmë ekonomike. Përllogaritet që në Shqipëri janë 57300 familje me ndihmë ekonomike.
“8000Lekë (të reja) për çdo familje me ndihmë ekonomike, që impakti i inflacionit të luftës në muajt e mbetur të dimrit të zbutet maksimalisht mbi konsumin bazë të tyre dhe ky dimër i vështirë ekonomik për mbarë Europën, të kalojë sa më lehtë”, shkruan Rama.
Ndërsa për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike, Pakoja e Madhe parashikon 20 mijë lekë.
“Edhe 20000 Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike – pas dyfishimit të ndihmës këtë vit, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti duke nisur prej 1 janarit – për të lehtësuar plotësisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë, në këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”.
Për 1 milionë qytetarë të kategorive të ndryshme qeveria ka vendosur të lëvrojë një fond prej 8 miliardë Lekësh, si mbështetje për inflacionin e shkaktuar nga kriza e çmimeve. Sipas Ramës, paketa do të shpërndahet në ditët e para të Janarit.